Tahiri kërkon shtyrjen e seancës të së hënës për shkak të homazheve në Mejë

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, fillimisht paraqiti kërkesë që seanca e së hënës të shtyhet për pasditen e asaj dite për shkak të homazheve.

Ai tha se Kuvendi duhet të tregojë seriozitet.

“Kërkoj nga kryetarja e Kuvendit, respektivisht ushtruesja e detyrës së Presidentes, që seancën e planifikuar me datën 27 ta shtyjë për pasdite, për shkak se mu atë ditë, mu në atë kohë, janë homazhet e masakrës më të madhe në Kosovë, në Mejë. Andaj nuk ka logjikë që dikush si ne, që shkojmë vit për vit atje, të kemi një seancë mu në atë kohë. Kërkesa ime e parë është që seanca e të hënës të shtyhet për pasdite, për shkak se, në mos asgjë tjetër, ne duhet të tregojmë pak seriozitet si parlament, si institucione, në respekt të viktimave, të familjeve dhe të një masakre që e lëndon secilin prej nesh”, tha Tahiri.

Tahiri, për shmangien e afateve të procedurave të buxhetit të Kosovës, tha se kjo është kërkesë absurde.

“Të nderuar deputetë, sot para nesh është paraqitur edhe një kërkesë bukur absurde, me improvizime serioze, të cilat, deshëm apo s’deshëm, ne duhet t’i pranojmë; është një eksperimentim serioz me shtetin. Është detyrë e jona, të nderuar deputetë, që ta ruajmë shtetin tonë, por në të njëjtën kohë ta ruajmë edhe rendin kushtetues. Republika jonë nuk është ndërtuar rastësisht. Është ndërtuar mbi sakrificë, mund, përkushtim, mirëpo edhe mbi procedura të dakorduara me Kushtetutë, me rend dhe me ligje. Sot nuk guxojmë ta rrezikojmë shtetin duke i fundosur e shkelur secilën rregull që institucioni më i lartë, institucioni ligjvënës, e ka.

Parlamenti nuk është vend për vendime të rastësishme. Nuk është vend për improvizime. Nuk është vend për iniciativa çdo ditë jashtë rendit të ditës. Ju lutem, ne jemi të zgjedhur. Ne trajtojmë tema; në këtë rast kjo është temë bukur serioze: rishikimi i buxhetit në mënyrë të rregullt dhe transparente.

Improvizimet nuk janë zgjidhje. Pse po e them këtë? Këtu ka pasur një komunikim nga Kryeministri Kurti dhe nga Ministri Murati, kur është folur për rishikim. Ju kujtohet, kemi folur për prezantim programi, kemi folur për rishikim substancial që prek zotimet e kësaj qeverie dhe kërkesat e këtyre deputetëve për ndërhyrje dhe rishikime në fusha të ndryshme që ndërlidhen me jetën, me mirëqenien, me infrastrukturën dhe me gjithçka tjetër”, tha Tahiri.

Artikuj të tjerë

Back to top button