Tahiri: Mungesa e kabinetit qeveritar tregon për rëndësinë që po i japin vendit

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kritikuar mungesën e kabinetit qeveritar në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën po diskutohet për çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike.

Ai gjithashtu ka drejtuar kritika edhe ndaj kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, raporton Ekonomia Online.

Para deputetëve, ai theksoi shqetësimet lidhur me trajtimin e çështjes së energjisë dhe mungesën e angazhimit institucional në këtë sektor.

“Po shihet se mungon kabineti qeveritar, kjo tregon edhe për vetëdijen dhe rëndësinë që ju i jepni ndërtimit të asaj që është më e rëndësishmja në vend. Sot, para qytetarëve të Kosovës, do të doja t’i adresoja katër çështje të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe që duhet, pa asnjë dyshim, të jenë brengë e secilit prej nesh, sidomos e Qeverisë së Kosovës, e cila temën e energjisë e ka lënë dorë pas dore. Pse po e them këtë? E para, ekziston një pajtueshmëri e përgjithshme që Kosova është vendi më i pasur me lignit. Madje, Kryeministri i Kosovës thoshte: si ka mundësi që Kosova të flejë mbi thëngjill e të ketë çmim më të lartë të energjisë?”, tha ai.

Ai tha se Haxhiu është njeriu i fundit që mund të flasë për gjuhën dhe veprime parlamnetare.

“Pra, kjo do të ishte pyetja themelore që unë sot ia drejtoj Kryeministrit dhe ministres përkatëse: si ka mundësi që vendi më i pasur me energji të mos ketë asnjë investim substancial në burimin më të rëndësishëm dhe strategjik të vendit?

Një pajtim tjetër, që jam i bindur se është i gjerë, lidhet me faktin se sot një ndër temat më të rëndësishme për secilin shtet është sigurimi i energjisë. Një shtet që ka pavarësi energjetike, që ka energji të mjaftueshme dhe kapacitete për ta shfrytëzuar, por nuk i shfrytëzon ato, realisht i bën dëm vendit. Mosinvestimet në sektorin e energjisë e bëjnë një shtet të varur – në këtë rast Kosovën – nga tregtarë dhe njerëz që merren vetëm me tregtimin e energjisë elektrike.

Po flasim pak për fakte. Kryetarja e Kuvendit tha se duhet të flasim me fakte. Së pari, ai është njeriu i fundit që mund t’i flasë dikujt për gjuhë dhe veprime parlamentare. Ai ka shkelur çdo normë që duhet ta respektojë një deputet, duke filluar nga gazi e deri te ofendimet më të rënda që i janë drejtuar ndonjëherë një kryetari të Kuvendit, ndaj Kryetarit Veseli.

Prandaj, duhet të kemi kujdes dhe të mos provokojmë situata, sepse herën tjetër do të qëndrojmë këtu te kjo foltore dhe nuk do të largohemi”, u shpreh tutje Tahiri.

Artikuj të tjerë

Back to top button