Zjarr në Prizren, përfshihet nga flakët një barakë e vjetër prej druri

Një zjarr është raportuar paraditen e sotme në rrugën “Shkronjat” në Prizren, ku nga flakët është përfshirë një barakë e vogël prej druri, e vjetër dhe jashtë përdorimit.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka bërë të ditur se ngjarja është raportuar sot.
“Sot, ditë e martë është raportuar një zjarr në rrugën ‘Shkronjat’ në Prizren. Sipas informatave fillestare, nga zjarri është përfshirë një barakë e vogël prej druri, e vjetër dhe jashtë përdorimit. Si pasojë e incidentit nuk raportohet për persona të lënduar”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka shtuar se menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitet kompetente kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në vendin e ngjarjes.
Autoritetet janë duke punuar për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit, ndërsa shkaku i zjarrit ende nuk është bërë i ditur.


