Një muaj paraburgim për të dyshuarin që plagosi dy persona në Pejë

Një muaj paraburgim është caktuar ndaj Mahmut Hoxhajt, i cili dyshohet për plagosjen e dy personave të premten në Pejë.
Vendimi u mor sot nga Gjykata Themelore, pas seancës dëgjimore që u mbajt në Spitalin e Përgjithshëm të këtij qyteti.
Sipas “Betimit për Drejtësi”, kjo masë do të jetë në fuqi deri më 15 nëntor 2025.
Klankosova.tv ka raportuar lidhur me ngjarjen që ndodhi dy ditë më parë e po ashtu ka publikuar edhe pamje nga rasti në fjalë.
Hoxhaj dyshohet për veprat “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet paraprake tregojnë se i dyshuari kishte qenë palë në një proces gjyqësor që kishte përfunduar pak minuta më herët me lirimin e palës tjetër. Menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, Hoxhaj dyshohet se ka dalë në parkingun prapa gjykatës, ku ka pritur viktimat dhe ka shtënë në drejtim të tyre me dy armë automatike të tipit AK-47.
I dyshuari Hoxhaj i cili është vëllai i të vrarit në Volljakë të Klinës, F.H., po dyshohet se për hakmarrje ka plagosur dy persona pasi Gjykata Themelore në Pejë shqiptoi 44 vite burgim për pesë të akuzuarit për vrasjen që kishte ndodhur më 2022.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar incizimin e seancës së shpalljes së aktgjykimit, ku Nderim Gashi është dënuar me 28 vite burgim, ndërsa Basri, Agron, Ardit dhe Bahri Gashi janë dënuar me nga 4 vite secili për vrasjen e F.H. Në total, në rigjykim janë shqiptuar 44 vite burgim, përderisa në gjykimin e parë ishin shqiptuar 84 vite burgim.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Nderim Gashi i është vazhduar masa e paraburgimit, por jo më gjatë sesa dënimi i shqiptuar. Ndërsa, katër të tjerëve iu është ndërpre masa.
Nga të shtënat me armë zjarri, dy persona mbetën të plagosur rëndë dhe u dërguan fillimisht në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku morën trajtim urgjent. Njëri prej tyre është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK në Prishtinë për shkak të plagëve serioze në pjesën e kraharorit.
Në vendin e ngjarjes, njësitë e hetimeve rajonale kanë sekuestruar dy armë të gjata AK-47, dy revole, 149 fishekë dhe 16 gëzhoja, ndërsa janë mbledhur edhe prova të tjera materiale që pritet të dërgohen për ekspertizë balistike.
Në kërkesën për paraburgim, Prokuroria ka theksuar se ekziston rrezik real i arratisjes, ndikimit në dëshmitarë dhe përsëritjes së veprës penale, duke qenë se Hoxhaj figuron në 43 raste penale të regjistruara më parë, nga të cilat 25 herë si i dyshuar dhe 18 herë si i dëmtuar ose palë.
Prokurori Qavolli ka arsyetuar se masat alternative si paraqitja në polici apo arresti shtëpiak nuk do të ishin të mjaftueshme për sigurimin e pranisë së të dyshuarit dhe zhvillimin normal të procedurës penale.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.