Takimi mes Sami Lushtakut dhe Blerim Kuqit ngre pikëpyetje, gazetari Kryeziu: Ky takim ndryshon dinamikën politike në Suharekë

Gjatë mbrëmjes të së hënës ka qarkulluar një fotografi në rrjetet sociale, ku shihet një takim mes Sami Lushtakut të PDK-së dhe Blerim Kuqit të LDK-së. Ky takim ka ngjallur reagime dhe diskutime të shumta në opinionin publik, veçanërisht pasi LDK-ja në Suharekë është konfirmuar për balotazh me AAK-në.

Gazetari Naim Kryeziu ka analizuar këtë zhvillim politik, duke theksuar se takimi mes përfaqësuesve të LDK-së dhe PDK-së ngre pikëpyetje për drejtimin dhe logjikën politike të kësaj lëvizjeje.

“LDK-ja në Suharekë tashmë është konfirmuar në balotazh me AAK-në. Megjithatë, takimi i përfolur mes përfaqësuesve të LDK-së dhe PDK-së, konkretisht mes Blerim Kuqit të LDK-së dhe Sami Lushtakut të PDK-së, ka ngjallur shumë reagime dhe paqartësi, duke pasur parasysh që PDK aktualisht është ende në koalicion me AAK-në në këtë komunë”, ka shkruar Kryeziu.

Sipas tij, një lëvizje e tillë ngre dilema mbi logjikën politike të një bashkëpunimi të mundshëm LDK–PDK, në një situatë kur PDK ka dalë në vendin e tretë dhe nuk pritet të ketë ndikim vendimtar pa ndarë qëndrimin ndaj koalicionit aktual.

“Një lëvizje e tillë ngre pyetje mbi logjikën politike të një bashkëpunimi të mundshëm LDK–PDK, në një situatë kur kjo e fundit, me pozicionin e saj të tretë në zgjedhje, nuk pritet të ketë ndikim vendimtar pa ndarë qëndrimin ndaj koalicionit aktual”, ka analizuar Kryeziu.

Ai më tej ka shtuar se, në aspektin politik, një bashkëpunim i mundshëm mes LDK-së dhe Vetëvendosjes do të kishte qenë më i natyrshëm, nëse qëllimi është ndryshimi i pushtetit lokal dhe krijimi i një alternative të re për qytetarët e Suharekës.

“Nga ana tjetër, Vetëvendosja ka arritur 13.94% të votave, ose 3,952 vota, duke dalë si një forcë e konsiderueshme në këtë garë. Në këtë kontekst, një bashkëpunim i mundshëm mes LDK-së dhe VV-së do të kishte qenë, për shumëkënd, një opsion më i natyrshëm dhe më koherent politikisht, nëse synimi është ndryshimi i pushtetit lokal dhe krijimi i një alternative të re për Suharekën”, ka vlerësuar Kryeziu.

LEXO EDHE:

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button