
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike, ku ka miratuar disa vendime, përfshirë transfere financiare për furnizim me barna, mbulimin e shpenzimeve operative dhe obligimeve kontraktuale.
Në kuadër të vendimeve të miratuara, Qeveria ka aprovuar kërkesën e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) për transferimin e 4,333,900 eurove, të destinuara për furnizim me barna nga Lista e Barnave Esenciale.
Sipas vendimit, këto mjete do të transferohen deri në 25 për qind të ndarjes së ndikuar negativisht.
“Miratuar Kërkesën e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, për transfer të mjeteve në shumë prej 4,333,900€ (katër milionë e treqind e tridhjetë e tre mijë e nëntëqind euro), deri nën 25% të ndarjes së ndikuar negativisht, për furnizim me barna nga Lista e Barnave Esenciale”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Po ashtu, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme për transferimin e 1 milion eurove, të cilat do të përdoren për mbulimin e obligimeve që lidhen me shpenzimet operative.
“Miratuar Kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për transferim të mjeteve në shumë prej 1,000,000.00€ (një milion euro), deri nën 20.68% të ndarjes së ndikuar negativisht, për mbulimin e obligimeve që kanë të bëjnë me shpenzime operative”, thuhet më tej.
Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Komunës së Podujevës për transferimin e 300 mijë eurove, për mbulimin e obligimeve kontraktuale.
“Miratuar Kërkesën e Komunës së Podujevës për transferimin e mjeteve, në shumën prej 300,000.00€ (treqind mijë euro), që përbën deri në 18.18% të ndarjes së ndikuar negativisht, për mbulimin e obligimeve kontraktuale”, thuhet në vendim.
Ndërkohë, Qeveria ka miratuar edhe vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit mujor të anëtarëve të Bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE (Energy Storage Corporation – ESCorp)” Sh.A.
Gjithashtu, është miratuar vendimi për dhënien në shfrytëzim të një hapësire prej 999 metrash katrorë, në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ndërmarrja e Pyjeve në Prizren, për nevoja të Ministrisë së Drejtësisë.
“Miratuar vendimin për dhënien në shfrytëzim të hapësirës, Parcela Kadastrale P-9012-0, me sipërfaqe prej 999 m², të cilat janë në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ndërmarrja e Pyjeve në Prizren, për nevoja të Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Në fund, Qeveria ka miratuar edhe vendimin për nominimin e tre përfaqësuesve të saj në Këshillin Konsultativ për Komunitete.
“Miratuar vendimin me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës i nominon tre (3) përfaqësues të saj në Këshillin Konsultativ për Komunitete”, thuhet në njoftim.

