Cakolli: Asnjë deputet nuk mund të ngrejë dorë ndaj qytetarit – Zemaj të mbajë përgjegjësi ligjore e morale

Pas incidentit fizik ku u përfshi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka reaguar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), duke e cilësuar ngjarjen “të papranueshme dhe të turpshme”.

Cakolli ka theksuar se asnjë zyrtar publik, e aq më pak një deputet i Kuvendit të Kosovës, nuk mund të ngrejë dorë ndaj qytetarëve, duke e quajtur dhunën “shkelje të ligjit dhe të dinjitetit që kërkohet nga një përfaqësues publik”.

“Asnjë zyrtar publik, aq më pak një deputet i Kuvendit të Kosovës, nuk mund të ngrejë dorë ndaj qytetarit. Dhuna nuk guxon të jetë as reagim, as ‘moment nervash’ e aq më pak të shitet ose të mbrohet si ‘vetëmbrojtje’,” ka shkruar Cakolli.

Sipas tij, politikanët duhet të tregojnë maturi edhe në raste provokimesh, sepse “është pikërisht detyrë e tyre të mos bien në të njëjtin nivel”.

“Po, mund të ketë provokime e ofendime nga qytetarë që testojnë kufijtë e politikanëve, por është detyrë e tyre të tregojnë maturi. E vetmja gjë që ka rëndësi është të mos normalizohet dhuna dhe të mos zbehet përgjegjësia publike,” ka shtuar ai.

Cakolli ka theksuar se Zemaj, si politikan me përvojë shumëvjeçare, duhet të mbajë përgjegjësi të plotë, jo vetëm ligjore, por edhe morale.

“Armend Zemaj nuk është politikan i ri; është veteran i politikës. Pikërisht për këtë, ajo që bëri është edhe më e rëndë. Përveç përgjegjësisë ligjore, ai duhet të mbajë edhe përgjegjësi morale – pa asnjë justifikim,” ka përfunduar Cakolli.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button