
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin në orët e para të së mërkurës, ku një 81-vjeçar dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij 80-vjeçare në shtëpinë e tyre.
Policia ka bërë të ditur se pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit policorë, forenzika dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, është ngritur dyshimi për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas dyshimeve të ngritura nga hetimet fillestare, lëndimet në trupin e viktimës mund të jenë shkaktuar me forcë duarthatë, pa përdorimin e ndonjë arme apo mjeti tjetër.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj, B.D., rreth 81 vjeç, është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.
Sipas Policisë, çifti nuk kishte pasur më herët raste të raportuara të dhunës dhe në momentin e incidentit ndodheshin vetëm në shtëpinë e tyre.



