Konjufca pret në takim ambasadorin e Zvicrës, diskutuan për avancimin e bashkëpunimit mes dy shteteve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur në takim ambasadori e ri të Zvicrës, Jürg Sprecher, ku diskutuan për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Zvicrës dhe për avancimin e bashkëpunimit mes dy shteteve.
“Kryetari Konjufca uroi ambasadorin Sprecher për detyrën dhe i dëshiroi mirëseardhje. Njëherësh i shprehu mirënjohje për kontributin e shquar dhe mbështetjen e gjithanshme të Zvicrës mike ndaj Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit, zhvillimit, integrimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, si dhe nënvizoi rëndësinë që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim.
Ambasadori Sprecher ka falënderuar Konjufcën për pritjen dhe ka vlerësuar partneritetin mes Kosovës dhe Zvicrës.
“Kryetari Konjufca dhe ambasadori Sprecher ritheksuan gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në fusha të ndryshme bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës”, thuhet tutje në njoftim.