Avokati serb i bën pyetje Vuçiqit për plagosjen e rrëmbimin e shtetasit të Kosovës

Akovati serb, Ivan Niniq ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq se është përgjegjës për plagosjen dhe rrëmbimin e një shtetasi të Kosovës të nacionalitetit serb, dy ditë më parë.

Në një shkrim në rrjetin social “X”, Niniq thotë se ka disa pyetje për presidentin serb.

“Meqenëse përgjegjësit po heshtin, duhet të parashtroj disa pyetje për A. Vuçiqin, B. Gashiqin dhe drejtorin e VBA-së, Gjuro Jovaniq: A është qëlluar për vdekje të shtunën rreth orës 16:00 në fshatin Jelakce/Leposaviq MILAN VUKASHINOVIQ (1986), të cilit po i luftojnë për jetën në Qendrën Klinike të Nishit? A iu është hequr Milanit në Qendrën Klinike të Nishit veshka e majtë dhe cipëza e zemrës?”, shtoi ai.

Tutje avokati pyet edhe se “a ka ende plumb në shtyllën kurrizore Milani dhe a nuk dihet ende?”.

“A do të mbetet invalid Milani dhe sa gjak ka humbur gjatë transportit nga Prokuplja në Nish? A është qëlluar Milani nga pas dhe pse? A kishin pjesëtarët e ushtrisë së Serbisë uniforma maskuese pa shenja dalluese? A ka marrë pjesë, përveç ushtrisë, edhe ‘dikush tjetër’ në aksionin e gjuetisë ndaj Milanit? A ishin 3 xhipat në terren pa targa? A është kryer ekspertiza në vendin e ngjarjes, kush e ka kryer dhe kur? Ku është ‘Lada Niva’-ja e Milanit? A menduat se kjo do të fshihej? A mendoni se askush, asnjëherë, nuk do të japë përgjegjësi?”, shkroi Niniq.

Milan Vukashinoviq e ka përkrahur hapur ish-zëvendësministrin për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq dhe e ka kundërshtuar po hapur Listën Serbe.

Më herët, atij i ishte vendosur edhe eksploziv në veturë, ishte ndaluar për disa orë në pikën kufitare në Jarinjë dhe ishte sulmuar disa herë në mediat lokale.

Artikuj të tjerë

Back to top button