“Shkelje e rëndë e kufijve”, Sveçla kërkon reagim nga ndërkombëtarët për plagosjen dhe rrëmbimin e shtetasit të Kosovës

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla ka kërkuar reagim nga ndërkombëtarët pas plagosjes dhe rrëmbimit të qytetarit serb, shtetas i Kosovës.
Ai thotë se Millan Vukashinoviq u rrëmbye nga pika zero e kufirit, ku ka prani të shtuar të KFOR-it dhe një gjë të tillë e cilëson si shkelje të rëndë të kufijve të shtetit.
“Serbia po vazhdon me veprimet e saj destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës, duke cënuar hapur integritetin tonë territorial, kësaj radhe në zonën -0- të kufirit mes nesh, e cila ka prani më të shtuar të KFOR-it. Në vazhdën e politikave të saj të frikësimit dhe përndjekjeve ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të Vuçiqit, xhandarmëria serbe ka plagosur duke tentuar ta vrasë dhe më pas e ka rrëmbyer një qytetar me inicialet M.V, shtetas i Republikës së Kosovës”, shkruan Sveçla.
Shton se kjo nuk është hera e parë që shkelen kufijtë nga ana e Serbisë.
“Ky është një akt i përsëritur dhe i pandëshkuar. Dy vite më parë pjesëtarë të njësive speciale të Serbisë hynë brenda territorit tonë dhe kidnapuan tre pjesëtarë të policisë sonë, pas kësaj, ndodhi sulmi terrorist në Banjskë. Në anën tjetër është e vazhdueshme politika e terrorit dhe dhunës që ajo ushtron në vazhdimësi me figurat që nuk pajtohen me politikat agresore të Aleksandër Vuçiqit. Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë. Është koha e fundit që faktori ndërkombëtar të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë”, ka shkruar ministri në detyrë.



