Balotazhi në qendër të takimit mes Radoniqit e ambasadorit gjerman

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi gjatë një takimi me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudoplh ka folur për balotazhin e 9 nëntorit.

KQZ-ja bën me dije se Radoniqi e informoi diplomatin gjerman lidhur me aktivitetet që aktualisht është duke i zhvilluar KQZ për organizimin e raundit të dytë të votimeve në zgjedhjet lokale.

Radoniqi e njoftoi ambasadorin gjerman  se procesi i organizimit zgjedhor po zhvillohet sipas planit dhe se janë ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar një proces të rregullt, transparent dhe të besueshëm.

Radoniqi theksoi se KQZ është në fazën përfundimtare të përgatitjeve logjistike, përfshirë shpërndarjen e materialeve zgjedhore.

Në anën tjetër, Ambasadori Rudolph shprehu interesimin e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së integritetit dhe transparencës gjatë gjithë periudhës zgjedhore.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të Komunave do të mbahet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Sipas Listës së Votuesve të publikuar nga KQZ, pas përditësimit të të dhënave me votuesit e rinj dhe pas largimit të personave të vdekur si dhe të atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672, pra vetëm 543 votues më shumë se në raundin e parë.

Rundi i dytë i zgjedhjeve do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.

Artikuj të tjerë

Back to top button