Dy sirianë të therur me thikë gjenden në Leposaviq, policia e ka cilësuar rastin si vrasje në tentativë

Policia e Kosovës ka njoftuar se dy sirianë të therur me thikë janë gjetur të mërkurën në fshatin Koshuticë të Leposaviqit.
Në raportin 24 orësh të policisë është bërë e ditur se ata janë gjetur në vende të ndryshme.
Sipas policisë, rasti është cilësuar si vrasje në tentativë.
“Dy dëshmitare femra kosovare, kanë raportuar se në oborrin e shtëpisë së tyre kanë vërejtur një person të shtrirë me plagë nëpër pjesë të ndryshme të trupit të shkaktuara nga mjeti i mprehtë. Viktima mashkull i moshës rreth 40-vjeçar, shtetas i Sirisë është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Mitrovicës Veri dhe më pas është transferuar në Spitalin e Mitrovicës Jugu për trajtim të mëtutjeshëm”, është thënë në raport, duke shtuar se personi tjetër është gjetur nga njësiti i Policisë gjatë patrullimit në fshat Koshuticë.
“Rreth orës 11:05 jemi njoftuar se njësiti nga SPMK Jarinje gjatë patrullimit në fshatin Koshuticë ka vërejtur një person mashkull Sirian i moshës 27-vjeçar me lëndime në kokë dhe këmbë që dyshohet se plagët janë shkaktuar nga mjeti i mprehtë”, është thënë në njoftim.



