
Pas tre viteve në edicionin qendror të lajmeve, gazetarja e Radiotelevizionit të Kosovës, Edina Avdiu, ka bërë të ditur se nuk do të jetë më pjesë e ekranëve të transmetuesit publik, në një vendim tërësisht të padrejtë, të motivuar politikisht dhe në shkelje flagrante të ligjit, “në muajin e pestë të shtatzënisë”, për çka, tregon Avdiu, “eprorët e mi ishin në dijeni.” Për largimin e saj nga puna, Avdiu pati një mesazh: “Nuk më largoi publiku, por direkt u.d. kryeredaktori Blerim Haxhiaj, i cili edhe muaj më parë nisi procedura disiplinore ndaj meje, të cilat ju kthen mbrapsht.”
“Në një shtet normal, demokratik ku gazetarët i kanë duart e lira të shkruajnë të vërtetën, nesër unë do të isha në punë. Por jo!”, shkroi gazetarja Avdiu në reagimin e saj në Facebook, duke shtuar se largimin e saj nga puna nuk e sheh si akt normal të menaxhimit, por si ndëshkim për gazetari kritike.
Avdiu shpejgoi se si menaxhmenti aktual i RTK-së, i cili po funksionon pa mandat, ka vendosur të mos ia vazhdojë kontratën e rregullt, pavarësisht vlerësimeve vjetore “mbi mesatare” dhe faktit se në dosjen e saj “nuk ka asnjë vërejtje”.
Ajo gjithashtu ka kujtuar se e njëjta administratë që sot i mbyll dyert, para tre vitesh e kishte njoftuar me e-mail se “Komisioni i përzgjedhjes është përcaktuar se Ju jeni kandidatja më e suksesshme, andaj përmes këtij e-maili, Ju njoftojmë se jeni pranuar në vendin e punës për të cilin keni aplikuar”.
Tre vjet më vonë, siç bën të ditur Avdiu, e njëjta administratë e ka njoftuar kontrata nuk do të ripërtrihet, pa zero arsyetim, pa vendim të argumentuar, pa transparencë. “Ndërsa tre vjet pas, pa asnjë arsyetim, me vlerësime vjetore mbi mesatare nga redaktorët e lajmeve, pa asnjë vërejtje në dosjen time e njëjta administratë më njoftoi se kontrata nuk do të ripërtrihet”, shkruan Avdiu.
Në reagimin e saj, gazetarja sqaron më tejse “nuk më largoi publiku, por direkt u.d. kryeredaktori Blerim Haxhiaj”, i cili, siç tregon ajo, prej muajsh kishte nisur procedura disiplinore ndaj saj – procedura që u rrëzuan nga organet e brendshme të RTK-së.
Ajo citon vendimin e “KOMISIONIT AD HOC TË RADIOTELEVIZIONIT TË KOSOVËS” të datës 09.10.2025, ku thuhet se “Aprovohet si e bazuar në tërësi ankesa… e palës ankuese Edina Avdiu… me të cilin të punësuarës Edina Avdiu i është shqiptuar masa e lehtë disiplinore ‘Vërejtje me shkrim’”. Me fjalë të tjera, masa disiplinore ndaj saj ishte rrëzuar, por siç shpjegon Avdiu “lufta për të më degraduar e në fund larguar, nuk pushoi”.
Një nga pikat më të rënda të njoftimit të Avdiut është fakti se paralajmërimi për mosvazhdim të kontratës i ka ardhur në një moment të ndjeshëm personal. “Paralajmërimi për mosvazhdim të kontratës nga një institucion publik siç është RTK-ja, erdhi në muajin e pestë të shtatzanisë time, për çka eprorët e mi ishin në dijeni”, tha ajo.
Ndonëse fund e krye në shkelje të ligjit, Avdiu shpjegon më tej se si as arsyetim, as vendim formal nuk i është dërguar, duke lënë të kuptohet se mbyllja e kontratës lidhet me qëndrimet e saj profesionale, jo me performancën në punë.
Në tre vitet e angazhimit në transmetuesin publik, Avdiu shtoi se ka qenë e papërshtatshme për pushtetin. “Në këto 3 vite angazhimi në transmetuesin publik, partisë në pushtet nuk i konvenonte as kur e mbaja mikrofonin në dorë e bëja pyetje, as kur e lshoja në tokë, ndaj vendosën që të ma merrnin nga dora”, shkruan ajo, duke e përshkruar përplasjen mes gazetarisë kritike dhe interesave politike.
Ajo tregon se është thirrur disa herë nga u.d. kryeredaktori, i cili “më thoshte se presioni nga partia në pushtet është i madh, presion që i erdhi në zarf me 200 mijëshen nga Qeveria”, ndërkohë që pyetja e saj për kryeministrin ishte: “pse nuk kam rrogë?”.
Presioni, sipas saj, shtrihet përtej rastit personal. Avdiu përshkruan një klimë të rëndë censurimi në Dhomën e Lajmeve, ku temat “refuzoheshin se nuk i konvenonin partisë në pushtet”, ku “gazetarët fshehnim kokën prapa ekranit të kompjuterit për të mos na u dhënë tekste që vinin direkt nga partia”. Ajo tregon se ndikimi i partisë në pushtet në redaksi ishte aq i drejtpërdrejtë, sa “erdhi dita që gazetarët gëzoheshim nëse një ditë shpëtonim pa na u dhënë ndonjë detyrë e këtij lloji (lexo propagandë)”.
Megjithë këtë klimë, Avdiu thotë se ka arritur të bëjë punën e saj. “Në këto rrethana, që për të qenë reale, nuk ishin të tilla kur unë fillova punën, arrita të realizoj 803 kronika, e qindra lidhje direkte”, shkruan ajo. Por ajo thekson se kontributi i saj më i rëndësishëm nuk matet vetëm me kronika të transmetuara, por me ato që ajo ka refuzuar t’i bëjë. “Por puna më e madhe që kam bërë, mendoj unë, janë kronikat që s’i kam bërë, tekstet që s’i kam lexuar”, deklaron Avdiu.
Një nga rastet që ajo e sheh si shembull ekstrem të instrumentalizimit politik të lajmit është teksti për zgjedhjen e kryeparlamentarit Dimal Basha. “Një ndër to është ky tekst, i shkruar në zyrat e partisë, që më erdhi si urdhër nga redaktorja ta lexoj, në ditën që kryeparlamentar u zgjodh Dimal Basha. Insistimi ishte që thjeshtë ta lexoja, pa bërë pyetje dhe pa mu përgjigjur se kush ishte autori”, thotë ajo. “Natyrisht se unë refuzova ta lexoja këtë tekst me cilësime e joprofesional për edicionin qendror të lajmeve.”
Në gjithë këtë rrëfim, Avdiu jep detaje se si pushteti ushtroi presion të jashtëzakonshëm përmes udhëheqësisë së RTK=së. “Presion u provua të ushtrohej edhe ndaj meje si gazetare, natyrisht jo direkt nga partia, por përmes veglave të tyre brenda RTK-së, në pozita të redaktorëve”, shkruan ajo.
Në fund, Avdiu ka ftuar publiku që ta gjykojë vetë pse ajo nuk është më pjesë e televizionit publik të Kosovës. Ajo shtoi se, meqë ka punuar “vetëm për interesin e publikut”, po ia lë po publikut fjalën e fundit. “Sidoqoftë, meqe kam punuar e jam angazhuar vetëm për interesin e publikut, po e lë në rubrikën e komenteve, tekstin e asaj dite, që publiku ta lexoj dhe kuptoj; pse unë nuk jam më pjesë e televizionit publik të Kosovës”, shkruan ajo.



