Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë, mbështet sulmin e ShBA-së ndaj Iranit

Mbrëmë vonë, me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë, për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, gjegjësisht zhvillimit të operacionit ushtarak “Epic Fury” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të forcave partnere, kundër Republikës Islamike të Iranit.

Siç thuhet nga Zyra e Kryeministrit për media, Kurti ka ritheksuar qëndrimin e qartë të institucioneve të Republikës së Kosovës se qëndrojnë të palëkundur përkrah miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.

“Republika e Kosovës, në përputhje me orientimin e saj euroatlantik dhe partneritetin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështet veprimet e ndërmarra nga SHBA-të ndaj objektivave të regjimit të Ajatollahëve në Iran, duke i vlerësuar ato si masa që synojnë parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë dhe kufizimin e kapaciteteve destabilizuese në rajon. Njëkohësisht, Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e saj me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore. Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, dhe se janë duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme, sikurse edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin. Ne po ashtu jemi në komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm edhe me partnerët tanë strategjik”, thuhet në njoftimin e ZKM-së,

Tutje në njoftim, qytetarëve u bëhet thirrje të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe burimeve kredibile, duke mos u lënë pre e dezinformatave dhe propagandës që synojnë destabilizimin e vendit dhe krijimin e pasigurisë.

“Republika e Kosovës mbetet një partnere e besueshme dhe e përkushtuar e komunitetit euroatlantik dhe do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet global”.

Artikuj të tjerë

Back to top button