Abdixhiku: U dakorduam për garim të përbashkët me Vjosa Osmanin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se organet drejtuese të LDK-së janë dakorduar për garim të përbashkët me Vjosa Osmanin në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Deklarata e Abdixhikut erdhi pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së dhe kryetarëve të degëve të kësaj partie, ku është diskutuar për përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor.
Sipas tij, LDK-ja do ta thërrasë këtë të shtunë Këshillin e Përgjithshëm të partisë, ku pritet të formalizohen vendimet që lidhen me procesin zgjedhor dhe me marrëveshjen për garim të përbashkët.
“Me votim në këtë trup, u dakorduam që këtë të shtunë të thërrasim Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së për t’i finalizuar të gjitha çështjet që lidhen me pjesën përgatitore zgjedhore”, tha Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se një nga temat kryesore të mbledhjes ishte edhe ajo që e quajti “bashkimi i madh”, për të cilin, sipas tij, LDK-ja është angazhuar në periudhën e fundit.
“Pikë e veçantë e këtij takimi ishte edhe natyrisht bashkimi i madh për të cilin po flasim e për të cilin jemi angazhuar”,deklaroi ai.
Abdixhiku tha se anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e degëve janë informuar për procesin e deritanishëm të diskutimeve. Ai shtoi se në mbledhje ka pasur dakordim për ta çuar përpara idenë e garimit të përbashkët me Osmanin.
“I njoftova edhe Kryesinë edhe kryetarët e degëve me procesin e deritanishëm. Votuam dhe u dakorduam që të formalizojmë tash e tutje, në bashkëpunim me Vjosa Osmanin, garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se diskutimet me Osmanin ende duhet të finalizohen para se marrëveshja të marrë formën përfundimtare në organet e LDK-së.
“Po për këtë, më jepni edhe disa ditë t’i finalizoj diskutimet edhe me zonjën Osmani, për të përfunduar në një votim formal në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm”, u shpreh ai.
Nga 171.357 vota në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit 2025, Lidhja Demokratike pësoi regres drastik në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura vetëm njëmbëdhjetë muaj më vonë, më 28 dhjetor 2025. Një nga performancat më të dobëta të subjektit që nga viti 2021.
Brenda vitit 2025, partia zbriti në rreth 50 mijë vota, duke shënuar rënie prej gati 5 pikë të përqindjes. Krahasuar me pikën më të ulët të 14 shkurtit 2021, LDK-ja në dhjetor të vitit 2025 arriti të shtojë vetëm rreth 12 mijë vota mbi atë rezultat.


