Polakët të gatshëm t’i shpenzojnë 5 milionë euro për Arbër Hoxhën

Klubi polak Widzew Lodz raportohet se është gati të bëjë një lëvizje të madhe në afatin kalimtar të ardhshëm, duke ofruar deri në 5 milionë euro për sulmuesin e majtë të Dinamo Zagrebit, Arbër Hoxha.

Sipas portalit kroat direktno.hr, 27-vjeçari, i cili numëron 23 paraqitje me kombëtaren e Shqipërisë, ndodhet në listën e prioritetit të klubit polak, që synon të forcojë repartin ofensiv për sezonin e ardhshëm, transmeton Klankosova.tv.

Aktualisht, Hoxha vlerësohet rreth 2.5 milionë euro, ndërsa kontrata me Dinamo Zagrebin i skadon pas tre vitesh, çka i jep mundësi klubit kroat të mos e shesë menjëherë, por një ofertë prej 5 milionësh mund të ndryshojë situatën.

Sulmuesi shqiptar ka treguar formë solide këtë sezon, duke regjistruar 41 ndeshje me 7 gola dhe 9 asistime, duke treguar konsistencë dhe kontribuim të rëndësishëm për skuadrën.

Mbetet të shihet në ditët e ardhshme nëse Dinamo Zagrebi do të hapë negociatat dhe nëse Widzew Lodz do ta formalizojë ofertën e raportuar prej 5 milionë eurosh.

Te klubi polak luajnë edhe disa futbollistë shqiptarë të tjerë, përfshirë Julian Shehun, Lindon Selahin dhe Andi Zeqirin, ndërsa Dion Gallapeni ndodhet aktualisht në huazim te Wisla Plock. Widzew Lodz po lufton këtë sezon për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit polak.

Artikuj të tjerë

Back to top button