Prokuroria i përgjigjet Kurtit: Deklaratat janë të pavërteta dhe nuk mbështeten në fakte

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili mbrëmë ka sulmuar përsëri këtë prokurori dhe kryeprokurori i saj, Blerim Isufaj.
Prokuroria ka vlerësuar se pretendimet e Kurtit janë të pavërteta dhe nuk mbështeten në fakte apo procedura zyrtare institucionale.
Përmes një reagim, PSRK ka vlerësuar se besueshmëria, integriteti institucional dhe profesional ndërtohen mbi punën dhe jo mbi deklarata politike.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, rithekson përkushtimin ndaj ushtrimit të pavarur, profesional dhe të panashëm të mandatit të saj, në funksion të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së interesit publik. Prokuroria Speciale dhe Kryeprokurori i saj, z.Blerim Isufaj, nuk komentojnë deklarata me karakter politik, veçanërisht në rastet kur ato janë të pavërteta dhe nuk mbështeten në fakte apo procedura zyrtare institucionale”, është thënë në njoftimin e Prokurisë Speciale.
Më tej, PSRK ka theksuar se ky institucion do të vazhdojë punën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“PSRK, vlerëson se besueshmëria, integriteti institucional dhe profesional ndërtohen mbi punën, transparencën, llogaridhënien dhe respektimin e ligjit, e jo mbi deklarata politike. Prokuroria Speciale dhe Kryeprokurori i saj do të vazhdojnë të ushtrojnë kompetencat në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftim.
Gjatë kësaj interviste, Kurti ka kritikuar ashpër edhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Ai ka pretenduar se kjo gjykatë qëllimshëm po e vonon shqyrtimin e disa projektligjeve që i ka dërguar për interpretim opozita.
“A e dini që po i bëhen edhe 900 ditë? 900 ditë nuk na ka dhënë Gjykata Kushtetuese përgjigje. A keni organizuar ndonjë emision pse Gjykata Kushtetuese 900 ditë nuk po përgjigjet për Fondin Sovran?”, është shprehur Kurti.
Kjo nuk është hera e parë që Kurti sulmon ashpër Prokurorinë dhe Gjykatën Kushtetuese.
Gjatë Qeveria së tij, Prokuroria Speciale dhe Gjykata Kushtetuese kanë qenë prej institucioneve më të atakuara nga Kurti dhe Qeveria e tij.



