Veteranët e luftës: Albin Kurti dhe VV-ja duhet të ndalin sulmet ndaj ish-gjeneralëve të UÇK-së
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka dënuar sulmet e fundit të drejtuara kundër gjeneralëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, duke i cilësuar ato si përforcim i fushatave nga qarqe me prejardhje politike dhe familjare të lidhura dikur me Jugosllavinë dhe pushtimin serb.
Në një njoftim në rrjete sociale, organizata ka theksuar se asnjë shpifje nuk mund të njollosë sakrificën e luftës që çliroi Kosovën.
“Gjeneralët dhe luftëtarët e UÇK-së nuk u kërkuan kurrë leje puthadorëve të një regjimi të vdekur para se të rroknin armët për këtë tokë. Sakrifica e tyre është themeli mbi të cilin ngrihet Kosova. Ata që pështyjnë mbi të, nuk tregojnë asgjë tjetër veçse zbrazëtinë e tyre politike dhe kalbëzimin moral”, thuhet në reagim.
Organizata ka theksuar se pas dy vitesh krizë institucionale, sulmet ndaj UÇK-së nuk janë të rastësishme.
“Albin Kurti dhe Vetëvendosje duhet të ndalin, tani, nxitjen e këtyre sulmeve ndaj UÇK-së, veteranëve dhe komandantëve të saj. Kosova nuk u çlirua që aventurierët politikë të përdorin si armë konfliktin qytetar për pushtet. Ata që nuk trashëguan asgjë nga kjo përpjekje, nuk kanë asnjë tagër të gjykojnë ata që e ngritën atë me gjak. Kërkojmë llogaridhënie publike dhe ndërprerje të pakushtëzuar të kësaj fushate antiçlirimtare. Vazhdoni në këtë rrugë dhe pasojat do të jenë të përhershme.”, thuhet në reagim.



