Albin Kurti me gruan e tij deklarojnë mbi 72 mijë € të hyra vjetore, 530 mijë € banesë në Norvegji dhe mbi 19 mijë e 500 € kursime

Kryeministri Albin Kurti dhe bashkëshortja e tij kanë deklaruar 72 mijë euro të hyra vjetore, 16 euro kursime personale të Kurtit, 19 mijë e 500 euro kursime të bashkëshortes dhe një banesë 67 metra katrorë në Oslo të Norvegjisë në vlerë prej 530 mijë eurosh, e blerë me kredi.
“Për shembull, jau tregoni deputetëve sa metoda janë për ta llogaritur bruto produktin vendor dhe na e thoni njërën prej tyre. Shumë e thjeshtë! Një kryeministër duhet ta dijë sa metoda, përgjithësisht në ekonomi, janë për llogaritjen e bruto produktit vendor dhe të na e thotë njërën prej tyre. Kaq, test elementar.”
Ndonëse më 31 maj të vitit 2018 e sfidonte kryeministrin e atëhershëm, Ramush Haradinaj, me llogaritje të bruto produktit vendor, tetë vjet më pas duket se njohuritë për mënyrat e llogaritjes nuk i mjaftuan kryeministrit të tanishëm, Albin Kurti, për ta rritur atë.
GDP-ja apo bruto produkti vendor pasqyron suksesin ekonomik të një vendi, bazuar në sasinë e prodhimit, konsumit, investimeve, importeve dhe eksporteve të një shteti brenda një periudhe të caktuar.
E përkundër se Kurti la të kuptohet se i di të gjitha metodat për matjen e saj, kjo nuk i mjaftoi, pasi pas afro shtatë vitesh qeverisje, Kosova për vitin 2025 rezultoi, në bazë të GDP-së apo bruto produktit vendor, vendi i dytë më i varfër në Evropë, pas Moldavisë, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të Kohavisionit, lidhur me këtë rezultat, Kurti tha se ka përmirësim, mirëpo vazhdojmë të qëndrojmë të varfër.
“Ne nuk kemi qenë veç më të varfërit, ne kemi qenë shumë të varfër. Tash jemi shumë më pak të varfër. E megjithatë jemi ndër më të varfërit. Ky është realiteti.”
Mirëpo, varfëria e ka përcjellë vendin edhe pas vitit 2025.
Kosova ka shënuar një rritje të çmimeve prej 7.5 për qind në muajin prill 2026, krahasuar me muajin prill të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kjo rritje e çmimeve përfshin strehimin, energjinë elektrike, ujin, ushqimin, kujdesin personal e të tjera.
Megjithatë, kjo nuk duket se i ka varfëruar edhe një pjesë të përfaqësuesve të popullit, të cilët nuk kanë ndalur së hyrë në obligime financiare për të shtuar pasurinë e tyre në patundshmëri.
Vit pas viti, banesat, shtëpitë dhe pasuria e politikanëve në pushtet apo opozitë po rriten.
“Nuk do të ketë më rrogë të vogël e fitim të madh”, kishte thënë ai më 20 prill të këtij viti.
Si duket, kjo thënie ka mbetur vetëm një tregim, sepse shumë deputetë të pushtetit e opozitës dhe ministra të Albin Kurtit, edhe pse me paga të vogla nga buxheti i shtetit, në fund po arrijnë të blejnë banesa, shtëpi e patundshmëri qindra mijëra euro.
Ndërsa, një pjesë tjetër e deputetëve e ministrave, përkundër se të ardhurat i kanë të njëjta me kolegët e pasuruar, deklarojnë se nuk po u mbetet asgjë për të kursyer, por vetëm për të mbijetuar.
Kryeministri Albin Kurti, bashkë me bashkëshorten, gjatë vitit 2025 kanë pasur 72 mijë euro të hyra. Prej tyre, më 31 mars 2026, ai ka deklaruar vetëm 16 euro e 41 cent si kursime. Ndërsa, gruaja e tij kishte të kursyera 19 mijë e 500 euro.

Përderisa kryeministri Kurti nuk ka prona të tij në Kosovë, gruaja e tij në emër të saj ka një banesë 67 metra katrorë në Oslo të Norvegjisë, në vlerë prej 530 mijë eurosh, të blerë në vitin 2018 me kredi.



