Pajisje kompjuterike, tekstil e duhan: Rreth 1 mijë artikuj sekuestrohen në Han të Elezit

Policia e Kosovës ka sekuestruar përkohësisht një automjet furgon dhe një sasi të konsiderueshme mallrash në Han të Elezit, të cilat dyshohet se nuk ishin të pajisura me dokumentacionin përkatës.

Sipas Policisë, të hënën, njësitet e Drejtorisë së Kufirit kanë pranuar informacion se në Han të Elezit ndodhej i parkuar një furgon me targa vendore, i dyshuar se ishte i ngarkuar me mallra të ndryshme pa dokumentacion

Gjatë veprimeve në terren, zyrtarët policorë kanë identifikuar edhe një depo ku ndodheshin mallra të ndryshme. Në koordinim me prokurorin kujdestar, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale, ndërsa automjeti dhe mallrat janë sekuestruar përkohësisht.

Më 29 shtator, pas konsultimit me prokurorin kujdestar dhe ekzaminimit të mallrave nga zyrtarët e Doganës së Kosovës, rasti është iniciuar si kundërvajtje doganore.

Gjatë numërimit janë evidentuar rreth 1.000 artikuj të ndryshëm, përfshirë pajisje elektronike dhe teknike, pajisje kompjuterike, tekstil, materiale të ndryshme, duhan të papërpunuar, si dhe artikuj të tjerë.

Automjeti dhe mallrat e sekuestruara i janë dorëzuar njësisë kompetente të Doganës së Kosovës për procedura të mëtejshme.

Artikuj të tjerë

Back to top button