
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj ndaj nëntë të dyshuarve për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Përmes një komunikate për media, Gjykata ka bërë të ditur se ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve.
Gjykata ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, të njëjtit mund të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale, t’i shmangen ndjekjes penale dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Ky vlerësim thuhet se është mbështetur në faktin se të pandehurit kanë nënshtetësi dhe vendbanim në Republikën e Serbisë, si dhe posedojnë pasaporta të Republikës së Serbisë, andaj ekziston rreziku konkret që të pandehurit, me qëllim të shmangies së ndjekjes penale, të largohen dhe t’i ikin drejtësisë.
Gjykata gjithashtu ka vlerësuar se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të ndikojnë në prova dhe në dëshmitë e tyre, duke penguar administrimin e drejtë dhe të plotë të provave, si dhe zbardhjen e plotë të gjendjes faktike.
D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D, V.L., R.R. dhe D.D ishin arrestuar dy ditë më parë pas një aksioni të Prokurorisë Speciale në Zveçan.



