Ambasadori britanik pritet nga Abdixhiku, flasin për zgjedhjet dhe programin e LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Gjatë takimit, Abdixhiku dhe ambasadori Hargreaves kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë në zgjedhjet e 7 qershorit dhe rëndësinë e një procesi demokratik, të lirë dhe të rregullt zgjedhor.
Siç thuhet përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Hargreaves për fushatën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, aktivitetet intensive që po zhvillohen anembanë Kosovës, si dhe për entuziazmin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme qytetare që po e përcjellin këtë proces zgjedhor në çdo qytet e komunë të vendit. Ai prezantoi gjithashtu prioritetet dhe programin qeverisës të LDK-së për këto zgjedhje.
Me këtë rast, Abdixhiku, siç thuhet, i shprehu mirënjohjen ambasadorit Hargreaves për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në proceset më të rëndësishme shtetformuese, demokratike dhe euroatlantike.



