KPK-ja fton prokurorët të aplikojnë për Kryeprokuror të Shtetit, numërojnë shkeljet kushtetuese të Presidentës për mosdekretimin e Isufajt

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka bërë të ditur se procesi për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit do të zhvillohet përmes një procedure të re, të rregullt dhe të bazuar në meritë, pasi propozimi i vitit 2022 nuk është finalizuar me dekret presidencial.
KPK ka numëruar shkeljet ligjore dhe Kushtetuese nga Presidentja e vendit, me mosemërimin e kandidatit që doli fitues në këshill, pra, Blerim Isufajt.
“Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kryeprokurori i Shtetit emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti me propozim të KPK-së. Po ashtu, Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës përcakton përgjegjësinë e Këshillit për të propozuar Kryeprokurorin e Shtetit dhe për të siguruar zbatimin e procedurave ligjore, parimeve të meritës dhe transparencës.”
Sipas KPK-së, pozita e Kryeprokurorit të Shtetit ka mbetur pa mandat të plotë që nga prilli i vitit 2022, duke krijuar pasiguri institucionale dhe ligjore në sistemin prokurorial.
Këshilli theksoi se partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe OSBE-në, kanë kërkuar vazhdimisht një proces transparent, të drejtë dhe të bazuar në meritë.
“Ambasada e Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë theksuar se procesi i përzgjedhjes duhet të jetë objektiv, transparent dhe i bazuar në meritë, duke vënë në dukje se çdo shmangie nga këto parime dëmton besimin në institucionet e drejtësisë.” – thuhet në komunikatë.
Po ashtu, organizatat vendore të shoqërisë civile kanë bërë thirrje për një konkurs të ri dhe për shmangie të çdo ndikimi politik në përzgjedhje.
KPK, pasi numëroi të gjitha shkeljet që u bënë nga politika me mosemërimin e Isufajt njoftoi se, nuk dëshirojnë që të krijohet një situatë ku do të dukej se po propozohen paralelisht dy kandidatë, andaj kandidaturën e 2022-ës e konsiderojnë të tërhequr.
Konkursi i ri për Kryeprokuror të Shtetit është hapur më 18 maj 2026 dhe do të mbetet i hapur deri më 10 qershor 2026, duke ftuar prokurorët që plotësojnë kushtet ligjore të aplikojnë.



