Përfundon ndeshja, pa gola mes Kosovës U21 dhe Luksemburgut U21

Kombëtarja e Kosovës U21 ka regjistruar një barazim pa gola 0-0 në përballjen miqësore ndaj Luksemburgut U21, e zhvilluar të shtunën pasdite në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali.

“Dardanët” e rinj zhvilluan një paraqitje solide në këtë test miqësor, duke krijuar disa momente të mira gjatë ndeshjes, por pa arritur ta gjejnë rrugën e golit. Edhe mysafirët nga Luksemburgu patën rastet e tyre, megjithatë sfida u mbyll pa fitues dhe pa gola.

Kjo ishte ndeshja e dytë miqësore për Kosovën U21 brenda pak ditësh.

Të mërkurën, ishte përballur me Turqinë U21, ku pësoi humbje minimale me rezultat 1-0 në një tjetër test të rëndësishëm për vlerësimin e gjendjes së ekipit.

Megjithëse gjasat e Kosovës U21 për të siguruar një vend në fazën finale të Kampionatit Evropian mbeten të vogla, objektivi i ekipit është që në ndeshjet e mbetura të paraqitet në nivel sa më të lartë, të fitojë përvojë të vlefshme dhe ta përmbyllë ciklin kualifikues me rezultate pozitive dhe paraqitje bindëse.

Barazimi ndaj Luksemburgut dhe paraqitja e treguar në këto ndeshje miqësore konsiderohen si pjesë e procesit të ndërtimit të ekipit për të ardhmen, me synimin që Kosova U21 të jetë sa më konkurruese në sfidat që e presin në vazhdim.

Artikuj të tjerë

Back to top button