
Dëshmitarja Milena Pashpereviq, e cila në rastin e sulmit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit është edhe palë e dëmtuar, ka dëshmuar për dëmet e shkaktuara në shtëpinë e saj nga shpërthimi i 29 nëntorit 2024 në Varagë të Zubin Potokut.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorisë, Pashpereviq ka rrëfyer se në momentin e shpërthimit ishte e vetme në shtëpi dhe se, nga tronditja, kishte menduar se bëhej fjalë për një tërmet.
Ajo ka thënë se shpërthimi kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme në shtëpinë e saj.
“Në shtëpinë time, kam qenë e shtrirë. Nuk ka qenë askush në shtëpi, bashkëshorti im ka qenë në udhëtim. Më kujtohet se ka qenë detonim shumë i madh, mendoj se ka qenë koha e errësuar, sepse kur kanë ardhur veturat ka qenë errësirë. Kur kam dalë dhe kam parë që një sasi e madhe e ujit vjen drejt shtëpisë sime, veturat janë ndaluar. Shtëpia ime ndodhet përfundi rrugës magjistrale, ndërsa ngjarja ka ndodhur mbi rrugën magjistrale”, ka thënë ajo.
Ajo ka përshkruar edhe momentet pas shpërthimit, duke thënë se tronditja kishte qenë aq e madhe saqë ishin dëmtuar edhe pjesë të shtëpisë.
Detonimi ka qenë i madh, është shkundur shtëpia, themeli i shtëpisë ka lëvizur, si dhe qynga e shporetit ka dalë nga vendi, si dhe në ato momente kam menduar mos është ndonjë tërmet. Fillimisht kam shikuar në dritare, pasi kam dëgjuar eksplodimin, e kam parë atë ujë, shumë sasi e madhe e ujit, e kam thirrur nënën në telefon. Kam kërkuar ndihmë që të vijë dhe të shohim se çfarë po ndodh. I kam thirrur prindërit që të vijnë, pasi ndodhen aty në fshat”, ka deklaruar ajo.
Pashpereviq ka thënë se në ato momente ishte e shqetësuar dhe e frikësuar, pasi ndodhej e vetme në shtëpi dhe nuk kishte fqinj afër.
“Po, shumë e shqetësuar dhe e frikësuar, se kam qenë vetëm në shtëpi, pasi nuk kam fqinjë në shtëpinë time. Jo vetëm veturat i kam parë”, ka thënë ajo.
Duke folur për dëmet, dëshmitarja ka bërë të ditur se kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, e kishte ndihmuar me 1 mijë e 300 euro, por ka theksuar se kjo shumë nuk e kishte kompensuar dëmin e shkaktuar.
“Dëmtimi ka qenë shumë i madh (i shtëpisë). Kryetari i komunës, Izmir Zeqiri, na ka ndihmuar me të holla, 1 mijë e 300 euro. Nuk është që na është kompensuar dëmi, por në ato momente na ka ndihmuar me ato të holla”, ka thënë ajo.
pyetur nga prokuroria nëse kërkon dëmshpërblim nga personat e akuzuar për rastin, ajo është përgjigjur shkurt: “Jo”.
Prokuroria Speciale, pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë Kundër Terrorizmit, dhe me partnerët evropianë, ka ngritur aktakuzë ndaj Jovan Viqentijeviqit, Dragisha Viqentijeviqit dhe Igor Dimoviqit për disa vepra penale, përfshirë rrezikimin e rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, kryerjen e veprës terroriste, armëmbajtjen pa leje dhe spiunazhin.
Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut, në pjesën e kanalit të Ibër-Lepencit, të pandehurit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, në bashkëpunim me disa persona të tjerë ende të paidentifikuar, pas një marrëveshjeje paraprake, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT në brendësi të kanalit.
Sipas Prokurorisë, vëllezërit Viqentijeviq e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese përmes një çante të lidhur me litar në një shtyllë betoni. Si pasojë, është dëmtuar rëndë struktura e kanalit, është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm dhe është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike.
Aktakuza pretendon se ndërmarrjes Ibër-Lepenc i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376 mijë e 774 eurosh e 70 centësh.
Jovan Viqentijeviq ngarkohet edhe me veprën penale të spiunazhit, ndërsa Igor Dimoviq akuzohet për armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës, Jovan Viqentijeviq, deri në momentin e arrestimit, kishte vepruar si i rekrutuar në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, në cilësinë e kolonelit, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara, me qëllim përdorimin e tyre në aktivitete të kundërligjshme në territorin e Kosovës.


