SHSKUK: Bllokohen 1,432 njësi të produktit medicinal në Mitrovicë, në pritje të analizave laboratorike

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar opinionin publik se pas raportimit nga farmacistja përgjegjëse e barnatores së Spitalit Rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë lidhur me një rast të dyshuar për produktin medicinal Compound Sodium Lactate Intravenous Infusion BP 500 ml, për të cilin ishte ngritur dyshimi se mund të mos ishte brenda specifikave të përcaktuara, janë ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme në bashkëpunim me AKPPM-në dhe Inspektoratin Farmaceutik.

Më 17.06.2026, Inspektorati Farmaceutik ka kryer inspektim në barnatoren e spitalit, me ç’rast është verifikuar gjendja e raportuar për produktin në fjalë.

Përmes procesverbalit të inspektimit, është urdhëruar bllokimi i 1,432 njësive të këtij produkti medicinal deri në përfundimin e analizave laboratorike dhe procedurave përkatëse vlerësuese.

Sipas autoriteteve, natyra e gjetjeve do të përcaktohet pas përfundimit të analizave laboratorike dhe vlerësimeve profesionale nga institucionet kompetente, ndërsa publiku do të njoftohet me rezultatet përkatëse pas përfundimit të këtyre procedurave.

Artikuj të tjerë

Back to top button