Ekskluzive: Sach Pizza mohoi praninë e salmonelës, por raporti mjekësor i siguruar nga TandemPress konfirmon diagnozën Salmonellosis A02.0

Redaksia e TandemPress ka siguruar raportin mjekësor të njërit prej pacientëve të përfshirë në rastin e helmimit që ka nxitur hetime nga institucionet kompetente. Në dokumentin mjekësor, në posedim të redaksisë, diagnoza përfundimtare e pacientit është Salmonellosis A02.0.

Përveç raportit mjekësor, TandemPress ka siguruar edhe dëshminë e pagesës, e cila tregon se pacienti kishte konsumuar ushqim në Sach Pizza përpara se të kërkonte ndihmë mjekësore.



Publikimi i këtyre dokumenteve vjen pasi Sach Pizza njoftoi se rezultatet laboratorike të mostrave të ushqimit dhe strishove të marra në lokalet e saj nuk kanë identifikuar baktere patogjene, përfshirë Salmonella spp., duke u thirrur në analizat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Ndërkohë, IKSHPK ka bërë të ditur se në mostrat e marra nga pacientët është konfirmuar Salmonella Enteritidis, ndërsa mostrat e ushqimit dhe strishot kanë rezultuar negative. Instituti ka theksuar se mungesa e salmonelës në mostrat e ushqimit në momentin e kontrollit nuk e përjashton mundësinë që burimi i infeksionit të ketë qenë ushqimi i kontaminuar më herët dhe se hetimi epidemiologjik vazhdon.

TandemPress do të vazhdojë ta ndjekë këtë rast dhe do të raportojë për çdo zhvillim të ri.

Artikuj të tjerë

Back to top button