
Bekim Bejta, ish-profesor në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ka mohuar fajësinë në rastin ku dyshohet për kanosjen e një ish-studenteje me inicialet V.F.
Në seancën fillestare të mbajtur më 28 tetor 2026, Bejta u deklarua i pafajshëm pasi prokurorja Arta Cukaj prezantoi aktakuzën ndaj tij.
“ I pafajshëm tërësisht, plotësisht dhe amshueshmërisht”, ka thënë Bejta gjatë seancës.
Rasti për të cilin ai po përballet me akuzat daton nga qershori i vitit 2022 dhe lidhet me disa deklarata që, sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë bërë në ambientet e fakultetit, gjatë zhvillimit të ligjëratave.
Sipas pretendimeve të paraqitura në aktakuzë, Bejta dyshohet se ka përdorur gjuhë kërcënuese ndaj ish-studentes, duke përmendur përfshirjen e familjes në zgjidhjen e çështjes. Po ashtu, më 27 qershor 2022, ai pretendohet se u ka folur studentëve për V.F.-në, duke thënë se problemin do ta zgjidhte përmes burrave dhe kanunit.
Prokuroria vlerëson se këto deklarata, të bëra në praninë e studentëve, i kanë shkaktuar ish-studentes ndjenjë frike, ankthi dhe pasigurie për jetën.
Për këto pretendime, ish-profesori akuzohet për veprën penale të kanosjes. Meqë Bejta nuk e ka pranuar fajësinë, çështja do të trajtohet në kuadër të procedurës gjyqësore.



