Kritikohen punësimet e komunave me tenderë

Komunat vazhdojnë t’i hapin tenderët për të angazhuar staf, duke e arsyetuar këtë me mungesën e kapaciteteve profesionale. Sipas Institutit GAP, vetëm gjatë vitit 2025 janë kontraktuar 534 persona në këtë mënyrë. Por, në Asociacionin e Komunave të Kosovës thanë se kjo praktikë është e mbështetur në ligj.
Me arsyetimin për mungesë stafi, një numër komunash kanë rekrutuar punonjës nëpërmjet tenderëve.
Në fund të prillit, Komuna e Prizrenit nisi procedurën e prokurimit në vlerë 327,600 euro, për të punësuar 14 konsulentë për një periudhë 3-vjeçare.
Ndonëse tenderi u shpall edhe me arsyetimin që me këtë staf komuna “të forcojë bashkëpunimin me donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë”, të punësuarit parashihet të paguhen mesatarisht 650 euro në muaj.
Sipas Institutit GAP, gjatë vitit 2025 komunat kontraktuan 534 persona në këtë mënyrë. Nga ta 207 i ka rekrutuar Prishtina, 65 Gjilani, 34 Deçani, 31 Obiliqi, 20 Peja, ndërsa Prizreni 10.
Analisti i politikave në Institutin GAP, Bekim Salihu, ka thënë se nëpërmjet këtyre tenderëve, udhëheqësit lokalë punësojnë edhe të afërm, meqë ata nuk i nënshtrohen konkursit.



