Ambasada e Kosovës angazhohet për kthimin e trupave të tre viktimave të aksidentit në Maqedoninë e Veriut

Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, ka bërë të ditur se ambasada është angazhuar për kthimin në Kosovë të trupave të pajetë të tre personave që humbën jetën në aksidentin e rëndë pranë pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë.

Viktimat janë Ejup Tërnava, Cennet Tërnava dhe Fatmire Shabani, të cilët humbën jetën tragjikisht në aksidentin e ndodhur mbrëmjen e kaluar në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Qehaja ka thënë se, menjëherë pas marrjes së informacionit për rastin, Ambasada e Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet maqedonase, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, si dhe me familjarët e viktimave.

Sipas tij, pas përfundimit të procedurave përkatëse nga autoritetet kompetente, trupat e pajetë pritet të transportohen në Republikën e Kosovës.

Ambasadori u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të viktimave.

“Në këto çaste të rënda shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe ndaj dhimbjen me familjet dhe të dashurit e të ndjerëve. U prehshin në paqe”, shkroi Qehaja.

Artikuj të tjerë

Back to top button