OVL-UÇK dënon fushatën serbe ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, kërkon shmangien e udhëtimeve nëpër Serbi

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), përmes një statusi në Facebook ka dënuar ashpër fushatën e vazhdueshme të institucioneve serbe dhe qarqeve të lidhura me to, për të kriminalizuar luftëtarët e UÇK-së përmes thirrjeve publike dhe akuzave të sajuara politikisht.

OVL-UÇK u shpreh se shënjestrimi i sërishëm i pjesëtarëve të Brigadave 111 dhe 121, si dhe të njësive të tjera të UÇK-së, është përndjekje politike e motivuar nga urrejtja ndaj UÇK-së.
Është politika e vjetër serbe e veshur me petk juridik: të barazojë agresorin me viktimën, të njollosë luftën çlirimtare dhe të frikësojë ata që mbajtën peshën e lirisë së Kosovës.
Asgjë më shumë.

Serbia nuk ka asnjë autoritet moral t’i mbajë leksione askujt për krime lufte, ndërsa i shmanget përgjegjësisë për atë që bënë në të vërtetë forcat e saj ushtarake, policore dhe paraushtarake. Listat e hartuara në Beograd nuk mund të rishkruajnë historinë, nuk mund të fshijnë varret dhe nuk mund të përmbysin të vërtetën e një populli të detyruar të mbrojë ekzistencën e vet, thuhet në statusin e OVL UÇK.

“OVL-UÇK u bën thirrje të gjithë ish-luftëtarëve të UÇK-së që, të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë. Thirrjet e vazhdueshme për arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së dëshmojnë se Serbia vazhdon të ndjekë të njëjtën qasje politike ndaj luftës çlirimtare të Kosovës.
Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme. Ajo hodhi themelet e shtetësisë dhe sovranitetit tonë. Çdo përpjekje për ta kriminalizuar do të hasë në rezistencë dhe kjo rezistencë nuk do të lëkundet” shkruhet në njoftim.

Artikuj të tjerë

Back to top button