
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se në lokacionin e Jabukës, në komunën e Zubin Potokut, deri më tani janë gjetur të paktën katër trupa gjatë kërkimeve në një varrezë masive.
“Deri tash janë zbuluar të paktën katër trupa”, deklaroi Sveçla para mediave.
Sipas tij, ekipet hetimore, ekspertët e forenzikës dhe të mjekësisë ligjore të Kosovës, me mbështetjen e ekspertëve të EULEX-it, po vazhdojnë punën në terren për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e mbetjeve mortore.
Ai shtoi se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të ndriçimit të rrethanave të rastit dhe identifikimit të personave përgjegjës, duke theksuar se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.



