Një paciente e huaj me “malarie” shtrihet në QKUK, e mori në Afrikë

Një paciente, shtetase e huaj, është pranuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa më pas është diagnostikuar me malarie.

Sipas njoftimit të QKUK-së, pacientja ishte pranuar më 1 gusht pa vetëdije dhe me parametra vitalë e laboratorikë të çrregulluar. Pas ekzaminimeve, ajo është transferuar në Klinikën Infektive, ku analizat specifike konfirmuan diagnozën e malaries.

Dyshohet se infeksioni është marrë gjatë një udhëtimi në vende të Afrikës, ku malaria është endemike. Pas konfirmimit të diagnozës, pacientja ka nisur trajtimin specifik antimalarik.

Gjendja e saj aktualisht është e qëndrueshme. Sipas QKUK-së, pacientja tashmë komunikon lirshëm, ndërsa parametrat vitalë dhe laboratorikë po kthehen gradualisht në vlera normale.

Institucioni ka sqaruar se malaria nuk transmetohet nga personi në person përmes kontaktit të zakonshëm, por zakonisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.

Gjatë periudhës 2022–2025, në Kosovë janë raportuar tetë raste të malaries, të gjitha të importuara. Deri më tani nuk është evidentuar asnjë rast i transmetimit lokal të sëmundjes.

Artikuj të tjerë

Back to top button