
Pronari i agjencisë turistike “Cani Travel” në Lipjan është arrestuar nën dyshimin për “mashtrim të konsumatorëve”.
Burimet e Klan Kosova bëjnë të ditur se pronari i kësaj agjencie është arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërsa dyshohet se përveç rastit të një familjeje që kishte paguar 1 mijë e 150 euro për bileta avioni, janë mashtruar edhe persona të tjerë.
Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka dhënë detaje mbrëmjen e së enjtes.
Sipas Policisë, rasti ka nisur pas një ankese të pranuar më 15 korrik 2026 nga Inspektorati i Tregut.
Një familje kishte blerë në korrik të vitit 2025 bileta për linjën Hamburg-Prishtinë dhe anasjelltas, në vlerë prej 1 mijë e 150 eurosh, por nuk kishte mundur t’i realizonte fluturimet.
“Përkundër pagesës së biletave, personat në fjalë nuk kanë mundur të i realizojnë fluturimet në asnjërin drejtim. Si pasojë, ata janë detyruar të shfrytëzojnë fluturime të tjera duke blerë biletat përkatëse, veprim ky që u ka shkaktuar një dëm shtesë prej 1,600.00 eurosh”, thotë Policia.
Pronari i agjencisë ishte intervistuar fillimisht më 28 korrik dhe, sipas Policisë, ishte udhëzuar që ta riparonte dëmin. Meqë kjo nuk kishte ndodhur, ai është intervistuar sërish më 20 gusht, në prani të avokatit.
Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, pronari i “Cani Travel” është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Mashtrim i konsumatorëve”.
“Meqenëse i njëjti nuk e ka riparuar dëmin e shkaktuar, pas përfundimit të intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë me dyshimet për kryerje të veprës penale Mashtrim i Konsumatorëve nga neni 292 i KPRK-së”, u tha në komunikatën për media.



