Musliu: Më 16 shtator shpresoj që liderët e UÇK-së të kthehen triumfues në Kosovë

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka deklaruar se që nga themelimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës nuk ka pasur besim në këtë gjykatë, duke e cilësuar atë si një gjykatë politike.


Musliu, në emisionin “Five”, tha se që në fillim e kishte kundërshtuar themelimin e saj, ndërsa sipas saj, gjatë këtyre gjashtë viteve gjykata nuk ka dëshmuar të kundërtën.


“Duke mos i besuar kësaj gjykate edhe në gjenezë, e kam refuzuar edhe atëherë në fillim votimin. Thellë në veten time nuk i kam besuar asnjëherë dhe kam parë themelimin e kësaj gjykate si gjykatë politike. Që gjashtë vite kjo gjykatë nuk ka dëshmuar të kundërtën, çdo ditë e më tepër e ka dëshmuar që është gjykatë politike”, tha Musliu.


Ajo u shpreh se tashmë procesi ndodhet në fazën e fundit dhe tha se shpreson që vendimi përfundimtar të jetë në favor të ish-krerëve të UÇK-së.
“Jemi në 100 metrat e fundit të punës së kësaj gjykate. Nuk dua të tingëlloj pesimiste. Uroj me zemër dhe pres e lutem çdo ditë që të paktën fundin kjo gjykatë ta ketë të drejtë dhe liderët e UÇK-së të kthehen triumfues në vendin e tyre”, deklaroi ajo.


Musliu tha se qytetarët e Kosovës janë në ankth në pritje të vendimit, duke e cilësuar këtë si një emocion të papërshkrueshëm.


“Ekziston frika, por edhe optimizmi është i jashtëzakonshëm që më 16 shtator do të kthehen edhe më krenarë se çdoherë më parë. Dhe Kosova do t’i presë ashtu siç i ka hije”, tha Musliu.
Ajo shtoi se pret që më 16 shtator Kosovës t’i rikthehet, sipas saj, dinjiteti, krenaria dhe e drejta për të qenë shtet i lirë, i pavarur dhe sovran.


“Shpresoj që me këtë numërim mbrapsht qytetarët e Kosovës ta kuptojnë se ora historike më e madhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës është duke u numëruar mbrapsht”, u shpreh Musliu.

Artikuj të tjerë

Back to top button