Vdekja e 29-vjeçarit në objektin në ndërtim në Zubin Potok, 30 ditë paraburgim për të dyshuarin


Gjykata Themelore në Mitrovicë -Dega në Zubin Potok ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet B.B., lidhur me vdekjen e 29-vjeçarit Bajram Selimi, i cili më 1 shtator humbi jetën gjatë punës në një objekt në ndërtim në Zubin Potok.

Kërkesa për caktimin e paraburgimit ishte paraqitur nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Lajmin për media e ka konfirmuar Gjykata Themelore në Mitrovicë, duke bërë të ditur se ndaj të pandehurit është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

“Të pandehurit B.B. i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Sipas gjykatës, masa e paraburgimit llogaritet nga 1 shtatori 2026 dhe do të zgjasë deri më 1 tetor 2026.
29-vjeçari Bajram Selimi ishte rrëzuar nga objekti në ndërtim të stacionit policor në Zubin Potok dhe, pavarësisht se ishte dërguar në spital, nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve.

Artikuj të tjerë

Back to top button