Identifikohen dy persona në Malishevë që ndezen zjarre në hapsira të hapura, dënohen me 500€ gjobë nga policia

Dy persona janë gjobitur me nga 500 euro nga Policia e Kosovës, pasi janë identifikuar si përgjegjës për ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura në Malishevë.

Sipas Policisë, Stacioni Policor në Malishevë, përkatësisht njësitë sektoriale, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme pas pranimit të informatave për dy raste të ndezjes së zjarreve.

Rasti i parë është raportuar rreth orës 19:05 në rrugën “William Walker”, ndërsa rasti i dytë rreth orës 20:30 në rrugën “Skënderbeu” në Malishevë

Gjatë veprimeve policore, zyrtarët kanë arritur t’i identifikojnë personat përgjegjës. Sipas policisë, ndezja e zjarreve përveç që ka paraqitur rrezik për hapësirat përreth, ka shkaktuar edhe ndotje të ambientit.

Ndaj dy personave janë ndërmarrë masat ligjore, ku secilit i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Policia ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes dhe të përmbahen nga ndezja e zjarreve në hapësira të hapura, veçanërisht në zona ku një veprim i tillë mund të rrezikojë pronën dhe mjedisin.

Artikuj të tjerë

Back to top button