
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se për vitin shkollor 2026/2027 janë shpërndarë 37 mijë e 429 libra në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës.
Sipas Kurtit, përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, librat u janë shpërndarë 3 mijë e 686 nxënësve në 15 shkolla fillore me mësim në gjuhën shqipe, nga klasa e parë deri në të tetën.
Kurti ka thënë se mbështetja për arsimin shqip në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë po vazhdon pavarësisht, siç është shprehur ai, pengesave nga Serbia.
Pavarësisht se në janar dhe prill të këtij viti Serbia bllokoi dhe refuzoi mjetet e Qeverisë së Kosovës të dedikuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ne do të jemi pranë secilit nxënës e secilës nxënëse në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka rikujtuar se që nga viti 2022, Qeveria e Kosovës mbështet pajisjen e nxënësve shqiptarë në këto komuna me libra falas.
“Këtë përkushtim po e vazhdojmë edhe këtë vit, sepse fëmijët nuk duhet të paguajnë çmimin e pengesave të pamerituara e diskriminimit nga Beogradi”, ka deklaruar ai.
Kurti ka theksuar se mbështetja për arsimin në gjuhën shqipe është e qëndrueshme.
“Shqiptarët e Luginës nuk janë vetëm”, ka përfunduar Kurti.



