IKSHPK: 7 raste me virusin e Nilit Perëndimor u konfirmuan gjatë periudhës gusht – shtator

Shtatë raste të infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor janë konfirmuar në Kosovë gjatë periudhës 7 gusht–18 shtator 2026, ndërsa dy persona kanë vdekur nga ky infeksion gjatë kësaj jave. Të gjitha rastet e konfirmuara janë hospitalizuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë.


Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), pesë nga personat e infektuar janë meshkuj dhe dy janë femra. Dy raste i përkasin grupmoshës 10–19 vjeç, ndërsa rastet e tjera janë të moshave deri në 79 vjeç.


Tri raste janë regjistruar në Gjakovë, ndërsa nga një rast në Prishtinë, Shtime, Ferizaj dhe Pejë.

Nga shtatë rastet e konfirmuara, tri janë paraqitur me shenja klinike të meningjitit akut, tri me shenja të meningoencefalitit akut, ndërsa një rast me gjendje febrile.


IKSHPK-ja bën të ditur se nga analiza fillestare nuk është evidentuar lidhje epidemiologjike ndërmjet rasteve, ndaj ato janë klasifikuar si sporadike. Vetëm njëri nga shtatë rastet ka raportuar histori udhëtimi jashtë vendit.
Sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), që nga fillimi i sezonit të transmetimit për vitin 2026 dhe deri më 10 shtator, janë identifikuar 1,285 raste humane të virusit të Nilit Perëndimor në 15 shtete evropiane, përfshirë edhe disa vende fqinje të Kosovës.


IKSHPK-ja ka bërë të ditur se të gjitha Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik kanë komunikuar me komunat në rajonet e tyre për ngritjen e vigjilencës dhe ndërmarrjen e masave konkrete për parandalimin e përhapjes së virusit.
Një ekip i IKSHPK-së, në bashkëpunim me QRSHP Gjakovë, është angazhuar në terren në Gjakovë, ku janë raportuar tri raste, për vlerësimin dhe hulumtimin e situatës epidemiologjike.
Vizitë e ngjashme është realizuar edhe nga QRSHP Ferizaj, ndërsa QRSHP-të kanë planifikuar takime me komunat gjatë javës së ardhshme.

Artikuj të tjerë

Back to top button