
Nëntë seanca bllok, njëra pas tjetrës – janë caktuar për t’u mbajtur duke shënuar kështu fillimin e procesit të gjykimit ndaj ish profesorit të Matematikës në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Xhevat Krasniqi.
Seanca e parë është caktuar të mbahet më 22 shtator të këtij viti, më pas me 28, 29 dhe 30 shtator. Në muajin tetor më datën një, pesë, gjashtë, shtatë dhe tetë.
Drilon Imeri, avokat mbrojtës i Krasniqit ka thënë se e mirëpret vendimin e gjykatës që nëntë seanca të këtij rasti ti mbajë brenda dy javëve, duke pas parasysh faktin që ka shumë dëshmitarë në proces.
“Është çështje procedurale e gjykatës, praktikohet në rastet me më shumë dëshmitarë, e mirëpres sepse konsideroj se mund të mbyllet si çështje me shpejt duke pas parasysh numërin e madh të dëshmitarëve”, ka thënë Imeri.
Aktakuza
Nën dyshimin e bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Ngacmim Seksual”, më 10 prill të këtij viti, prokuroria Themelore ngriti aktakuzë ndaj Xhevat Krasniqit, profesor i lëndës së Matematikës në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Pishtinës.
“Gjatë periudhës kohore nga Janari i vitit 2022 në vazhdimësi deri në Dhjetor të vitit 2023 në objektin e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinë, Xhevat Krasniqi është përfshirë në sjellje të pa dëshiruar verbale të natyrës seksuale e me qëllim cenimit të dinjitetit të personit tjetër, tani të dëmtuarave E.B, D.V, R.A, dhe A.M, duke i ngacmuar seksualisht me fjalë, në atë mënyrë që i pandehuri në cilësinë e profesorit universitar të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, profesor i lëndës së matematikës në Fakultetin e Mjekësisë, duke pasur pozitë të autoritetit mbi të dëmtuarat, i njëjti ju është drejtuar më fjalë të dëmtuarave E. B me fjalët
“Të dyja i keni ly buzët njëjtë a, pastaj ju drejtohet të dëmtuarës D.V me fjalë, “ly ti sa dush se buzt si të E… nuk munesh me i pas”, po ashtu të dëmtuarës E. derisa ka qenë në zyrën e të pandehurit Xhevat në një moment i kishte thënë dhe demonstruar së do të i kishte bërë masazh, pastaj i është drejtuar me fjalë të dëmtuarës R.A “Po dokesh shumë bukur, shumë mirë je vesh, lyu gjithmonë qeshtu, ngjyra e kuqe e flokëve po bjen në sy”, ndërsa në një rast i njëjti i është drejtuar me pyetjen “Cili është dallimi midis femrës dhe perdes, dhe pastaj vet është përgjigjur: “Të dyjat ta bojnë terr”, pastaj, “ti një numër me ma dhanë gabim, unë sun të thirri”, të dëmtuarës D.V. i është drejtuar me fjalët, “D. mundesh me u ul ku ta kish qefin ti, paske vesh fun a, çfarë ki nër fun”, ai keni lyer buzët njëjtë, mos i ly buzët si te saj se nuk i ki buzët si të saj”, të dëmtuarës A.M. i është drejtuar me fjalët “Qe qikjo mu dhimt mas shumti dhe qaq mirë koke vesh, po të vyn veq një fotograf i fort dhe me mrri fotoja jote në Amerikë”, me ç’rast të dëmtuarave i ka cenuar dinjitetin dhe ka krijuar një mjedis objektivisht frikësues, degradues”, thuhet në arsyetim të aktakuzës, së ngritur nga Prokurori Besnik Jakupi, dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Policia e Prishtinës kishte paraqitur më 21 maj 2024 kallëzim penal ndaj profesorit të Fakultetit të Mjekësisë, Xhevat Krasniqi, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ngacmimi seksual”.
Pas shqyrtimit të kallëzimit, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 12 qershor 2024 kishte marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj Krasniqit. Gjatë hetimeve janë intervistuar të dëmtuarat E.B., D.V., R.A., A.M dhe G. M, si dhe vetë i pandehuri. Prokuroria thotë se ka shqyrtuar edhe provat e dorëzuara nga policia dhe ato të paraqitura nga Krasniqi.
Pas analizimit të provave, Prokuroria ka vlerësuar se në veprimet e Krasniqit janë manifestuar elementet e veprës penale të ngacmimit seksual dhe ka ngritur aktakuzë ndaj tij në raport me katër të dëmtuarat: E.B, D.V, R.A dhe A.M.
Ndërkaq, hetimi është pushuar pjesërisht në raport me G.M, pasi ajo në deklaratën e dhënë në Prokurori ka deklaruar se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe nuk parashtron kërkesë pasurore juridike ndaj Krasniqit. Meqë kjo vepër penale ndiqet sipas propozimit të palës së dëmtuar, tërheqja e propozimit nga Makolli ka bërë që Prokuroria ta pushojë hetimin në pjesën që lidhet me të.
Aktakuza është ngritur ndaj Xhevat Krasniqit për ngacmim seksual ndaj katër studenteve, ndërsa është pushuar për një studente.Klan/Kosova



