MASh-i kërkon të ruhen tekstet shkollore për ripërdorim viteve të tjera

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka rikujtuar prindërit dhe kujdestarët ligjorë se tekstet shkollore të subvencionuara për klasat 1–9 duhet të ruhen dhe të kthehen në shkollë në fund të vitit mësimor.

Ndërkaq, nga java e ardhshme, Inspektorati i Arsimit do të nisë vizitat në shkolla për të verifikuar nëse nxënësit janë pajisur me tekstet shkollore dhe nëse procesi mësimor po zhvillohet rregullisht.

“Në përputhje me Udhëzimin Administrativ të MASh Nr. 13/2016 për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore, përdorimin dhe ruajtjen e tyre, dhe Deklaratën e prindit/kujdestarit ligjor përfitues të subvencionimit të teksteve dhe materialeve shkollore për vitin 2026-2027, nxënësit dhe prindërit kanë përgjegjësi për mirëmbajtjen, ruajtjen dhe kthimin e teksteve shkollore bazë në gjendje të përshtatshme për ripërdorim. Dorëzimi i teksteve bëhet te kujdestari i klasës, në përfundim të vitit mësimor”, thuhet në njoftimin e MASh-it.

MASh poashtu u ka bërë thirrje prindërve që të kujdesen për tekstet, në mënyrë që ato të mund të ripërdoren nga gjeneratat e ardhshme.

Artikuj të tjerë

Back to top button