Sot u zhvillua seanca e radhes ndaj Vali Corleone nën akuzën per drogë

Sot është zhvilluar seanca e radhës gjyqësore ndaj Princ Valentino Corleones, i njohur si Vali Corleone, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku është dhënë fjala përfundimtare në procesin penal ndaj tij.

Në seancën e sotme, prokuroria ka kërkuar që i akuzuari të dënohet për veprën penale me të cilën ngarkohet, ndërsa mbrojtja e tij ka kërkuar lirimin nga akuzat.

Corleone, i cili në këtë proces është deklaruar i pafajshëm, nuk ka shtuar asgjë në fjalën e tij gjatë seancës së sotme.

Procesi ndaj tij lidhet me një ngjarje të 17 marsit 2023, që dyshohet të ketë ndodhur në një motel në Çagllavicë. Aktakuza është ngritur më 29 qershor 2023.

Sipas aktakuzës, prokuroria pretendon se Corleone, në shoqërinë e dy vajzave, kishte ftuar edhe një tjetër, së cilës dyshohet se i kishte dhënë kokainë për konsum.

Gjatë kontrollit policor, sipas pretendimeve të prokurorisë, atij i janë gjetur një dozë dhe një qese me kokainë, me peshë të përgjithshme prej 0.39 gramësh.

Prokuroria e ngarkon me veprën penale që përfshin blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, sipas nenit 267, paragrafi 1, të kodit penal të Kosovës.

Ndërkohë, në seancën fillestare të 22 prillit 2025, Vali Corleone ishte deklaruar i pafajshëm.

Më herët, ai ishte sjellë me detyrim në gjykatë, pas mungesës në dy seanca radhazi, në zbatim të urdhrit të gjyqtarit për sigurimin e pranisë së tij në proces.

Artikuj të tjerë

Back to top button