
Një objekt afaristo-banesor në lagjen Slloxha të Suharekës është bërë pjesë e një aktakuze të Prokurorisë Themelore në Prizren, ku katër persona akuzohen për vepra të ndryshme penale lidhur me ndërtimin dhe mbikëqyrjen e punimeve, shkruan TandemPress.
Në mesin e të akuzuarve është Nuhi Bytyçi, vjehrri i deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyçi, ndërsa në rast përfshihet edhe Abdurrahim Hasani, pronar i kompanisë ndërtimore “Bashkimi Projekt” SH.P.K.
Sipas aktakuzës, tejkalimet e lejes ndërtimore i kanë mundësuar investitorit një dobi pasurore të llogaritur në 716,512.50 euro, ndërsa Komunës së Suharekës dyshohet se i është shkaktuar dëm financiar nga taksat e papaguara.
Si nisi rasti?
Sipas Prokurorisë, Nuhi Bytyçi kishte nisur ndërtimin e objektit afaristo-banesor në Slloxhë para se të pajisej me leje ndërtimore.
Dokumentacioni teknik i objektit ishte përgatitur nga kompania “Bashkimi Projekt”, në pronësi të Abdurrahim Hasanit.
Më 7 mars 2022, inspektori i ndërtimtarisë Hafir Maliqaj dhe drejtori i Inspekcionit, Agim Demiri, dolën në terren dhe, sipas aktakuzës, konstatuan se në objekt po zhvilloheshin punime pa leje.Në atë kohë, punimet kishin arritur në fazën e hapjes dhe betonimit të bodrumit. Sipas aktakuzës, zyrtarët konstatuan se punimet po kryheshin nga “Bashkimi Projekt” dhe urdhëruan ndërprerjen e tyre dhe pajisjen me leje ndërtimore// raporton TandemPress.
Më 13 mars 2022, sipas aktakuzës, Agim Demiri, në cilësinë e inspektorit kujdestar, nxori vendim për ndërprerjen dhe rrethimin e objektit.Objekti u rrethua me shirita dhe investitori u paralajmërua se vazhdimi i punimeve pa leje mund të sillte masa të tjera ligjore.Megjithatë, Prokuroria pretendon se kontrolli për zbatimin e këtij vendimi nuk u bë për një periudhë disa mujore.
Sipas aktakuzës, më 28 prill 2022, Nuhi Bytyçi u pajis me leje ndërtimore.Leja parashihte objekt me etazhitet B+P+2, pra bodrum, përdhesë dhe dy kate.Prokuroria pretendon se nga momenti i pajisjes me leje deri më 8 qershor 2022, zyrtarët komunalë nuk kryen kontroll tjetër për të verifikuar nëse punimet po zhvilloheshin në përputhje me lejen e lëshuar.Më 8 qershor 2022 u bë inspektimi i radhës, ndërsa procesverbali u përpilua më 15 qershor.
Sipas aktakuzës, në procesverbal u evidentua se objekti po ndërtohej me etazhitet B+P+2 dhe se punimet e vrazhda kishin përfunduar. Por Prokuroria pretendon se gjendja reale ishte ndryshe.Sipas aktakuzës, objekti tashmë ishte ndërtuar me B+P+3, pra me një kat më shumë se sa lejohej me lejen ndërtimore. Prokuroria pretendon se zyrtarët komunalë e kishin parë katin e tretë, por nuk e kishin evidentuar atë në procesverbal. Sipas dosjes, investitorit vetëm i ishte tërhequr vërejtja se “nuk ke bërë mirë që e ke ndërtuar edhe një kat”.
Mediumi TandemPress ka siguruar nga afër fotografitë e Pent Hous-it në lagjen Slloxhë.


Çfarë ndodhi me tejkalimet?
Më 15 qershor 2022, sipas aktakuzës, zyrtarët nxorën edhe një vendim tjetër për ndërprerjen e punimeve dhe kërkuan dorëzimin e matjeve gjeodezike për gabaritin dhe katshmërinë e objektit.
Sipas Prokurorisë, këto kërkesa nuk u përmbushën brenda afatit, ndërsa ndaj investitorit u iniciua vetëm procedurë kundërvajtëse.Prokuroria pretendon se nuk u ndërmorën veprime të tjera që, sipas saj, do të duhej të ndërmerreshin, përfshirë kallëzimin penal dhe masat për rrënimin vullnetar ose kthimin e objektit në gjendjen e mëparshme.
Sipas aktakuzës, Abdurrahim Hasani, pronar i “Bashkimi Projekt”, kishte rol në projektimin dhe ekzekutimin e punimeve.Prokuroria pretendon se kompania ka realizuar punime në kundërshtim me kushtet e lejes ndërtimore.
Në veçanti, sipas analizës së provave të përfshirë në dosje, Hasani dyshohet se ka kryer punimet e “Pent House”-it dhe ka dalë jashtë vijave ndërtimore, edhe pse, sipas Prokurorisë, ka ditur se për këto punime kërkohej leje ndërtimore.
Ekspertiza e arkitekturës dhe gjeodezisë, sipas aktakuzës, ka evidentuar gjithsej 730.67 metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar përtej parametrave të lejuar.
Në këtë përfshihen:
- 324.34 m² – kati i tretë, i përshkruar si “Pent House”;
- 99.36 m² – tejkalime me kulme të rrafshëta;
- 57.34 m² – tejkalim në një prej kateve;
- 39.59 m² – tejkalim në një tjetër pjesë të objektit;
- 218.36 m² – tejkalim në përdhesë, e destinuar për veprimtari afariste.
Si u llogarit përfitimi prej 716 mijë eurosh?
Sipas vlerësimit të tregut të përfshirë në dosje, hapësira afariste prej 218.36 m² është vlerësuar me 1,500 euro për metër katror, duke arritur në 327,540 euro.Ndërsa hapësirat e banimit me gjithsej 518.63 m² janë vlerësuar me 750 euro për metër katror, ose 388,972.50 euro.Të dyja së bashku japin shumën 716,512.50 euro, e cila në aktakuzë paraqitet si dobia pasurore e llogaritur për investitorin.
Në këtë rast, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj: Hafir Maliqajt dhe Agim Demirit, për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, në bashkëkryerje, Nuhi Bytyçit, për “Ndërtim pa leje”, dhe Abdurrahim Hasanit, pronar i “Bashkimi Projekt”, për “Punime të kundërligjshme ndërtimore”.
Sipas Prokurorisë, veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve komunalë, së bashku me ndërtimin përtej kushteve të lejes, kanë krijuar situatën që investitori të përfundojë një objekt më të madh se sa ishte lejuar dhe të realizojë, sipas ekspertizës, 716,512.50 euro dobi pasurore.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



