Bekim Haxhiu nga PDK: Kërkoj që trupi gjykues i speciales gjyqtari Smith, dhe kryetarja Trendafilova të shpallen “non grada” në Kosovë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kërkuar që gjyqtari Charles L. Smith III dhe kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, të shpallen persona “non grata” në Kosovë.

Në një intervistë në emisionin “Frontal” në T7, Haxhiu tha se një masë e tillë, sipas tij, duhet të përfshijë Smithin, trupin gjykues dhe Trendafilovën.

“Smith dhe trupi gjykues duhet me u shpallë nongrata në Kosovë bashkë me Trendafilovën”, deklaroi Haxhiu.Charles L. Smith III është gjyqtar kryesues i Trupit Gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ndërsa njëkohësisht mban edhe pozitën e zëvendëspresidentit të Dhomave të Specializuara. Ekaterina Trendafilova është presidente e Dhomave të Specializuara që nga viti 2017.

Haxhiu e lidhi kërkesën e tij drejtpërdrejt me aktgjykimin e fundit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.Sipas tij, përfundimet e trupit gjykues ndikojnë në mënyrën se si paraqitet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Me këtë aktgjykim po e ndryshon narrativën e luftës çlirimtare”, tha Haxhiu.Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, bëhet fjalë për një “aktgjykim që nuk e përfaqëson popullin e Kosovës”.

Deklaratat e Haxhiut vijnë në një kohë kur aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit ka nxitur reagime të shumta politike në Kosovë, përfshirë diskutime në Kuvend dhe kërkesa për veprime të përbashkëta institucionale.

Dhomat e Specializuara, nga ana tjetër, theksojnë se gjyqtarët janë të pavarur në ushtrimin e funksioneve të tyre dhe nuk duhet të marrin apo kërkojnë udhëzime nga qeveritë ose burime të tjera.Kërkesa për shpalljen “non grata” të Smithit dhe Trendafilovës është qëndrim politik i Haxhiut dhe nuk përbën vendim institucional të autoriteteve të Kosovës.

Artikuj të tjerë

Back to top button