Prokuroria Themelore e Prizrenit ngrit aktakuzë ndaj kompanisë E.I sh.p.k” dhe ndaj pronarit për mashtrim në prokurim publik

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj pronarit dhe personit përgjegjës të kompanisë “E.I.” SH.P.K., si dhe ndaj vetë kompanisë, për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas aktakuzës, rasti lidhet me kontratën për rregullimin e ngrohjes qendrore në sallën e baletit të Shkollës së Mesme “Lorenc Antoni” në Prizren. Prokuroria pretendon se më 10 dhjetor 2022, i pandehuri Xh.K., në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të kompanisë, kishte shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe nuk kishte zbatuar detyrimet e përcaktuara me kontratë

Sipas aktakuzës, në punimet për ngrohjen qendrore janë përdorur materiale të tjera në vend të gypave të bakrit që ishin paraparë në kontratë, duke mos respektuar paramasat, parallogaritë dhe specifikimet për furnizimin dhe montimin e pajisjeve.Prokuroria pretendon se këto veprime janë ndërmarrë me qëllim të përfitimit, duke i shkaktuar dëm material Komunës së Prizrenit. Për të njëjtin rast është përfshirë në aktakuzë edhe personi juridik “E.I.” SH.P.K., nën dyshimin se ka shkelur rregullat e prokurimit publik dhe detyrimet e kontratës me qëllim përfitimi pasuror.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Artikuj të tjerë

Back to top button