
34 shtetas shqiptarë janë dëbuar nga Gjermania drejt Shqipërisë me një fluturim të posaçëm, i cili ishte organizuar fillimisht me destinacion Bullgarinë.
Sipas Ministrisë së Refugjatëve të landit Nordrhein-Westfalen, aeroplani ishte nisur nga Düsseldorf dhe kishte bërë fillimisht një ndalesë në Sofje të Bullgarisë, ku ishte zbarkuar një person që po dëbohej drejt këtij shteti.
Më pas, avioni ka vazhduar udhëtimin drejt Tiranës, me 34 shtetas shqiptarë në bord, të cilët janë kthyer në Shqipëri.
Ministria ka sqaruar se bëhej fjalë për dy operacione të ndara dëbimi, të realizuara me të njëjtin aeroplan, i cili pas ndalesës në Bullgari vazhdoi fluturimin drejt Shqipërisë.
Dëbimet nga Gjermania janë shtuar gjatë këtij viti, veçanërisht për personat të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, si dhe për ata që kanë kryer vepra penale.
Sipas autoriteteve gjermane, numri i personave që pritet të dëbohen gjatë vitit të ardhshëm mund të dyfishohet.



