Cfarë thuhet në dosjen e Prokurorisë, dhe si funksiononte grupi nga pesë personat e dyshuar për trafikimin e kokainës

Operacioni i koduar “Heshtja”, i zhvilluar pas disa muajsh hetime, çoi në sekuestrimin e 1.6 kilogramëve kokainë, makinave luksoze, parave dhe sendeve me vlerë, që në total arrijnë rreth 301 mijë euro// shkruan TandemPres.

Sipas Policisë së Kosovës, operacioni kishte në shënjestër një grup të organizuar, të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës. Hetimet disamujore zbuluan një strukturë me hierarki të qartë, nga drejtuesit e dyshuar të grupit deri te personat që merreshin me shpërndarjen e drogës në rrugë.

Gjatë bastisjeve në disa lokacione në Prishtinë, policia ka sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, me vlerë të përllogaritur rreth 111 mijë euro, si dhe sasi marihuane, tableta të dyshuara ekstazie dhe një substancë ende të paidentifikuar.

Në listën e pasurive të sekuestruara janë edhe gjashtë automjete, mes tyre Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe Volkswagen Tiguan. Autoritetet kanë konfiskuar gjithashtu rreth 16 mijë euro para të gatshme, ora luksoze, përfshirë Rolex, stoli të çmuara, një armë zjarri me municion, telefona dhe pajisje të tjera elektronike.

Sipas Policisë së Kosovës, vlera e përgjithshme e drogës dhe pasurive të sekuestruara arrin në rreth 301 mijë euro.

Prokurori i rastit thuhet se deklaroi që grupi furnizohej me substanca narkotike përmes Mërgim Stanovcit, Astrit Haraqija dhe Alban Malokut, kurse lënda ndahej në një banesë dhe më pas shpërndahej përmes Gëzim Fekës, Arijanit Beqirit dhe Albert Krasniqi, i cili thuhet se zëvendësoi Beqirin për shkak të dyshimeve të ngritura nga lideri i grupit.

Hoti ka thënë se furnizimet dhe barazimet financiare bëheshin në baza javore nën evidencën e rregullt të Jetonit, ndërsa paratë dërgoheshin përmes anëtarëve të grupit ose të pandehurës Albana.

Në vendim thuhet se i pandehuri Jeton Stanovci ka kundërshtur kërkesën për paraburgim, duke thënë se në 4-5 pronat e tij, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Edhe mbrojtësi i tij, avokati Florent Latifaj e kundërshtoi në tërësi kërkesën e Prokurorisë, duke theksuar se nga kontrollet nuk është gjetur asgjë e dyshimtë në lokacionet e të mbrojturit të tij.

Kërkesën për paraburgim e kundërshtoi edhe i pandehuri Gëzim Feka dhe mbrojtësi i tij, avokati Besim Abdullahu. Ky i fundit tha se nuk plotësohen kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase dhe se nuk specifikohen veprimet individuale të të pandehurit.

Në anën tjetër, Arjanit Beqiri thuhet se deklaroi se e kundërshton kërkesën e Prokurorisë për paraburgim dhe premton se do t’i përgjigjet ftesës së gjykatës. E avokati i tij, Blerim Hertica tha se kërkesa për paraburgim është e tepruar dhe e pabazuar.

Edhe e pandehura Albana Xhemajli-Ramadani dhe avokati i saj Driton Musliu kundërshtuan kërkesën për paraburgim. Avokati tha se kjo masë është e padrejtë, jashtëzakonisht e rëndë dhe pa mbështetje ligjore në raport me veprimet e të mbrojturës së tij.

Kurse, Astrit Haraqija deklaroi se e kundërshton plotësisht kërkesën për paraburgim, duke theksuar se në të kaluarën i është përgjigjur gjithmonë ftesave të gjykatës dhe Policisë, duke premtuar se do t’i përgjigjet edhe në të ardhmen, duke shtuar se është 54-vjeç. Për armën, ka thënë se i ka skaduar leja.

Edhe avokati i tij, Korab Bokshi e kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë duke thënë se nuk i përmbush kushtet e përgjithshme dhe të veçanta për caktimin e saj.

 I pandehuri Alban Maloku kundërshtoi po ashtu kërkesën për paraburgim dhe kërkoi masë më të lehtë alternative. Premtoi se nuk do t’i pengojë hetimet, nuk do të ndikojë e as nuk do të largohet nga Kosova, duke përmendur se do t’i përgjigjur ftesave të autoriteteve.

Avokati i tij, Ilir Ramaj po ashtu kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë, duke theksuar se është e përgjithshme dhe nuk specifikon veprimet individuale të të mbrojturit të tij.

Por, Gjykata vlerësoi se kërkesa e Prokurorisë është e bazuar dhe se masat tjera alternative nuk konsiderohen të mjaftueshme për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.//shkruan TandemPress

Artikuj të tjerë

Back to top button