Çfarë u zbulua në qumështin VITA? AUV urdhëron tërheqjen urgjente nga tregu

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë -AUV, ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të një serie të qumështit VITA UHT 3.2%, pasi analizat laboratorike në Kosovë dhe Austri kanë konfirmuar tejkalimin e nivelit të lejuar të aflatoksinës M1.

Sipas rezultateve të publikuara, analiza në Austri ka zbuluar përqendrim prej 0.065 µg/kg, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 0.050 µg/kg. Edhe analizat e kryera në Kosovë kishin konstatuar tejkalim në tri mostra.

Bëhet fjalë për qumështin me këto të dhëna:

Prodhuesi: ABRAZEN SH.P.K. (Qumështorja VITA)

Paketimi: 1 litër

Data e prodhimit: 18.07.2026

Afati i përdorimit: 18.01.2027

AUV u bën thirrje qytetarëve që të mos e konsumojnë këtë seri dhe ta kthejnë në pikën ku e kanë blerë.

Shqetësues është fakti se i njëjti prodhues ishte përmendur edhe në raste të mëparshme në Maqedoninë e Veriut, ku analizat e produktit LAND Milk UHT 3.2% kishin zbuluar nivele edhe më të larta të aflatoksinës M1.

Aflatoksina M1 është substancë toksike që mund të kalojë në qumësht përmes ushqimit të kontaminuar të kafshëve. Ekspozimi afatgjatë ndaj saj mund të paraqesë rrezik për shëndetin.

AUV ka paralajmëruar zgjerimin e kontrolleve edhe në seritë e tjera të prodhimit për të identifikuar burimin e mundshëm të kontaminimit.

Artikuj të tjerë

Back to top button