Qeveria thotë se kriza me furniziminin e rrymës e rrezikon edhe mospërfundimin e punimeve me kohë në njësisë B1

Qeveria e Kosovës ka shpallur masa emergjente për furnizimin me energji elektrike, të cilat do të jenë në fuqi për 60 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit.

Vendimi është marrë në mbledhjen e 16 nëntorit 2026, ndërsa i njëjti do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për miratim brenda tri ditësh.

Në kuadër të këtyre masave, ndërmarrja hidroekonomike “Ibër-Lepenci” është obliguar të prodhojë energji elektrike nga kapacitetet e saj prodhuese, në përputhje me udhëzimet e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

Sipas vendimit, KOSTT-i do ta udhëzojë “Ibër-Lepencin” që të prodhojë energji elektrike aq sa është teknikisht e mundur, veçanërisht gjatë orëve të pikut të konsumit. Prodhimi duhet të orientohet edhe në periudhat kur mund të ndikojë më së shumti në uljen e kostove të sistemit ose kur është i nevojshëm për sigurinë e furnizimit.

Po ashtu, Qeveria ka obliguar ndërmarrjen hidroekonomike “Ibër-Lepenci” që të realizojë prodhimin nga hidrocentrali i Ujmanit për furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal. Furnizuesi për Shërbim Universal do të kompensojë ndërmarrjen për energjinë e prodhuar, në përputhje me çmimin referent të përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Një tjetër masë parasheh themelimin e Komitetit Teknik Emergjent, i cili do të udhëhiqet nga Ministria e Ekonomisë dhe do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve dhe ndërmarrjeve përkatëse. Ky komitet do të ketë për detyrë të rekomandojë masa shtesë, përfshirë edhe kushte të veçanta komerciale, për menaxhimin e situatës emergjente.

Komiteti do të monitorojë gjendjen e përgjithshme të sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe do t’i raportojë Ministrisë së Ekonomisë çdo dy javë. Raportimi do të përfshijë disponueshmërinë e kapaciteteve gjeneruese, nivelin e furnizimit dhe kërkesës, si dhe gjendjen e rrjetit elektrik në vend. Ndërkohë, të gjitha institucionet publike janë obliguar të ndërmarrin masa për kursimin e energjisë elektrike.

Në arsyetimin e vendimit, Qeveria ka përmendur disa faktorë që, sipas saj, kanë ndikuar në sigurinë e furnizimit. Ndër ta janë çmimet e larta të importit të energjisë elektrike, paqëndrueshmëria e tregjeve ndërkombëtare si pasojë e konfliktit në Iran dhe ndërprerjeve të qarkullimit përmes Ngushticës së Hormuzit, të cilat kanë ushtruar presion mbi çmimet e naftës, gazit natyror dhe energjisë elektrike në tregjet evropiane e rajonale.

Si faktor tjetër është përmendur mosoperimi i njësisë B1 të Termocentralit “Kosova B”, për shkak të punimeve për instalimin e elektrofiltrave të rinj dhe sistemit për reduktimin e oksideve të azotit (NOx).

Qeveria ka theksuar se vonesat në realizimin e këtij projekti dhe paqartësitë për rikthimin e njësisë në operim kanë ndikuar në bilancin energjetik të vendit. Sipas dokumentit, rikthimi ishte planifikuar për 25 nëntor 2026. Në arsyetim përmendet edhe bllokimi nga Serbia i funksionalizimit komercial të kapaciteteve ndërkufitare, që, sipas Qeverisë, kufizon mundësitë e importit të energjisë elektrike.

Artikuj të tjerë

Back to top button